Lidhje

Qeveria dhe opozita polemika mbi deputetin Tom Doshi


Partitë dhe institucionet shtetërore trajtuan sot gjerësisht deklaratat e deputetit të majtë Tom Doshi, sipas të cilit, kryetari i parlamentit Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij dhe një deputeti të opozitës.

Deputetët e Partisë Demokratike braktisën komisionin parlamentar të ligjeve, duke kërkuar që puna të pezullohet, derisa të ndriçohen ngjarjet. Ata pohuan se zoti Meta duhet t'u hapë rrugë hetimeve, duke dhënë dorëheqjen. Opozita ka dorëzuar edhe një mocion mosbesimi për të larguar kryetarin e parlamentit nga detyra.

Ndërkaq ministri i punëve të brendshme Saimir Tahiri shpjegoi në një deklaratë të gjatë për shtypin takimet e tij dhe drejtuesve të policisë me deputetin Doshi, ku ai denonconte përpjekjet për t'i bërë atentat, duke ndryshuar herë pas here të dhënat, dhe duke mos pranuar asnjëherë dëshmi të rregullt me shkrim.

Ministri Tahiri përshkroi një seri takimesh me zotin Doshi nga 6 shtatori dhe deri aktualisht, ku u përmendën Agim Rama, Fatjon Skënderi, Agron Kuliçaj, Eugen Beci duke ndryshuar emrat e porositësve për atentat ndaj tij ndërsa atentatori i supozuar përkrah tij vetëm pohonte deklaratat e tij.

Ministri Tahiri tha se në të gjitha rastet deputetit Doshi iu kërkua të ndiqej procedura ligjore për të marrë dëshmi të rregullta në mënyrë që të kryheshin hetime të rregullta, por ai vazhdimisht nuk pranoi. Madje në një nga takimet e fundit tha se zotëronte edhe lëndën shpërthyese, që mund t'i vendosej në automjet, por nuk e ka dorëzuar policis, as atë pamjet filmike që pretendonte se kishte.

Deklaratat e deputetti Tom Doshi trazuan jetën politike në kryeqytet. Përjashtimi i tij nga grupi i deputetëve socialist u mbështet nga diplomatët amerikanë dhe europianë. U largua nga detyra edhe prokurori i krimeve të rënda, ndërsa opozita kërkoi largimin e kryetarit të parlamentit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG