Lidhje

Çmimi Sakharov i BE u jepet dy iranianëve


Çmimi i Bashkimit Europian për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit iu dha këtë vit një avokateje dhe një regjisori iranian, të dy të zhdukur nga jeta publike në Iran, pasi kundërshtojnë udhëheqjen e këtij vendi.

Avokatja e të drejtave të njeriut, 49 vjeçarja Nasrin Sotoudeh, dhe regjisori 52 vjeçar, Jafar Panahi, mbahen në arrest në Iran. Ata janë vlerësuar me çmimin Sakharov në mungesë, për kurajon në mbrojtje të të drejtave themelore të tyre e të të tjerëve.

Në fjalën e tij, presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz tha se si Nasrin Sotoudeh edhe Jafar Panahi, përfaqësojnë çdo gjë që Bashkimi Europian mbron. "Unë shpresoj se ata do të lejohen që të vijnë vetë në muajin dhjetor në Strazburg për të marrë çmimin. U bëj thirrje autoriteteve iraniane që të bëjnë çdo gjë që është e mundur që ardhja e tyre të lejohet. Unë u them atyre - shtoi zoti Schulz- se nuk janë vetëm në përpjekjet e tyre”.

Çmimi që mban emrin e shkencëtarit disident të ish Bashkimit Sovjetik Andrei Sakharov, u jepet personave që luftojnë për liritë dhe të drejtat e njeriut nga ana e Bashkimit Europian që nga viti 1988.
XS
SM
MD
LG