Lidhje

Veprimtari në Tiranë për pavarësinë e Kosovës


Berisha: "Udhëheqësit në Prishtinë e shndërruan Kosovën në një faktor paqeje, qëndrueshmërie dhe bashkëpunimi rajonal".

Parlamenti i Shqipërisë zhvilloi sot një tubim solemn në sallën plenare për pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, kishte ftuar edhe historianë e studiues, veprimtarë të shoqërisë civile. Ajo shprehu nderim të veçantë për presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.



Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se udhëheqësit shqiptarë në Prishtinë e kanë forcuan shtetin e ri duke e shndërruar Kosovën në një faktor paqeje, qëndrueshmërie dhe bashkëpunimi rajonal. Zoti Berisha tha se “nacionalizmi shqiptar nuk ka pretendime territoriale, as fobira ndaj të tjerëve dhe as doktrina shfarrosëse, si ato rrotull Shqipërisë, por respekton paqen dhe bashkëjetesën me fqinjët”.

Komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë me rastin e pesë-vjetorit të pavarësisë së Kosovës erdhën një ditë pasi Televizioni Top Channel publikoi një dokument diplomatik, ku SHBA shpreh zhgënjim dhe shqetësim se udhëheqësit shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv në rajon.

Sipas këtij televizioni, Departamenti i Shtetit i shkruante ministrisë së jashtme dy javë më parë, duke shprehur shqetësimin se retorika nacionaliste mund të cënojë qëndrueshmërinë e rajonit. Në letër thuhet se politikanët shqiptarë po bëjnë deklarata që nxitin sjellje gjaknxehta, që dëmtojnë paqen në rajon, ndaj atyre u bëhet thirrje që të fokusohen tek çështjet e brendshme si zgjedhjet e lira, integrimi europian dhe përmirësimi i ekonomisë.

Ndërsa për tubimin ceremonial në parlament Partia Socialiste deklaroi se nuk ishte ftuar dhe se seancë jubilare nuk u organizua, ndaj dhe deputetët e opozitës nuk ishin aty. Kryetari i PS, Edi Rama, deklaroi se opozita u sulmua aty për qëllime elektorale dhe se përvjetori i pavarësisë së Kosovës nuk duhej shfrytëzuar për një seancë e improvizuar me ca të ftuar specialë për të goditur opozitën tinëzisht.
XS
SM
MD
LG