Lidhje

Zoti Berisha fton opozitën të votojnë bashkë ligjet e radhës


Kryeministri Berisha tha se për të arritur bllokimin, opozita po mban qëndrime të dyfishta ndaj ligjeve që kërkon Europa.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ftoi sot përsëri opozitën që të votojnë bashkarisht me shumicën tre projekt-ligjet që kanë mbetur si kërkesa të fundit para se Bashkimi Europian të vendosë nëse do t’i japë Tiranës zyrtare statusin e vendit kandidat. Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike se askush nuk mund të fitojë kapital politik përmes bllokimit të projekt-ligjeve që kërkohen nga BE, të cilat në thelb dëshmojnë vullnetin e palëve për reforma.

“Unë edhe një herë e ftoj zotin Rama të ulemi, të votojmë ato ligje së bashku. Ideja se mund të fitohet kapital politik nëpërmjet bllokimit është kryekëput e dështuar” – tha ai.



Zoti Berisha tha se shumica është e gatshme të pranojë çdo ndryshim të propozuar nga opozita për ligjin e shërbimit civil dhe për rregulloren e parlamentit, dhe se çdo tërheqje e opozitës është bllokim. Sipas tij, vendimet e gjykatave duhen zbatuar dhe nuk mund të ndërmjetësohen me dialogje politike. Kryeministri Berisha tha se për të arritur bllokimin, opozita po mban qëndrime të dyfishta ndaj ligjeve që kërkon Europa.

“Nga një anë derdhet një breshëri e madhe akuzash ndaj drejtësisë, nga ana tjetër hezitohet të votohet ligji i domosdoshëm për reformimin e Gjykatës së Lartë. Nga një anë flitet për statusin e nëpunësit civil, nga ana tjetër hezitohet për të votuar ligjin e përgatitur me ekspertizën më të mirë të kontraktuar me paratë e Komisionit Europian. Nga një anë pranohet oferta për ndryshimin e rregullores dhe të nesërmen hiqet dorë prej saj. Unë mendoj se nuk janë këto mesazhet që presin shqiptarët në prag të kësaj ngjarje të madhe; rekomandimit të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat” – tha ai.

Shumica parlamentare mendon se çështja e ngritur nga opozita për qarkun e Fierit mund të zgjidhet me mocion në përputhje me ligjin e qeverisjes vendore. Por opozita socialiste deklaron me këmbëngulje se nuk i miraton projekt-ligjin mbi gjykatën e lartë, nëse nuk zbatohen vendimet e saj për Fierin.

“Fieri është shembulli më flagrant, më ulëritës, më kuptimplotë i kësaj ndarje me thikë mes ligjeve në letër që miratojmë për integrimin dhe realitetit të paligjshmërisë që nuk ka asnjë lidhje me Europën e Bashkuar ku duam të hyjmë” – thotë kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama.

Qeveria dhe opozita vazhdojnë të shkëmbejnë replika dhe akuza lidhur me ndihmesat apo pengesat që ato sjellin secila në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Debatet e përditshme kanë marrë një shtysë të re nga afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme; fushata zgjedhore duket sikur është në prag, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë verën e vitit tjetër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG