Lidhje

Obama: Greqia të balancojë masat shtrënguese me rrritjen


Presidenti Barak Obama këshilloi kryeministrin grek Antonis Samaras të gjejë balancën mes masave shtrënguese buxhetore dhe përpjekjeve për rritje ekonomike, në rrugën drejt kapërcimit të problemeve të thella ekonomike të vendit. Dy udhëheqësit zhvilluan dje një takim në Shtëpinë e Bardhë:

Pas takimit në zyrën e Presidentit amerikan, zoti Obama dhe zoti Samaras ranë dakord se Greqia duhet të gjejë balancën mes përpjekjeve për të rritur ekonominë dhe për të krijuar vende të reja pune dhe masave për të ulur borxhin publik. Presidenti Obama tha se qeveria e Athinës nuk mund të mbështetet vetëm në masat shtrënguese për rimëkëmbjen ekonomike:

“Është e rëndësishme të zbatohet një plan për konsolidimin fiskal, për menaxhimin e borxhit, por është gjithashtu e rëndësishme që t’i kushtojmë vëmendje rritjes ekonomike dhe vendeve të punës”.

Greqia ka një sfidë të vështirë. Ajo ballafaqohet me një recesion të tejzgjatur, me një borxh masiv dhe papunësi të lartë. Presidenti Obama tha se ka besim se Greqia mund të dalë me sukses:

“Mendoj se kryeministri Samaras është i angazhuar për të marrë masat e nevojshme, sado të vështira, por pa diskutim ai kërkon të sigurohet se populli grek do të përjetojë së shpejti çlirim nga kjo situatë”.

Kryeministri shprehu bindjen se përpjekjet e qeverisë së tij do të rezultonin efektive:

“Sakrificat që po bën populli grek janë tepër të mëdha, por nuk do të shkojnë kot”.

Zoti Samaras u bëri jehonë komenteve të presidentit Obama për të balancuar masat për reduktimin e borxhit me përpjekje për rritje ekonomike:

“Pa dyshim do të bëjmë atë që nevojitet, për sa u përket ndryshimeve strukturale, por theksi do të jetë tek rritja ekonomike për hapjen e vendeve të reja të punës”.

Shifrat e reja tregojë se papunësia në Greqi arriti në 27.6 për qind në maj dhe zoti Samaris tha se përqindjet e papunësisë në radhët e rinisë janë në 60 për qind.

Greqia ka mbijetuar që në vitin 2010 me paketën e ndihmës ekonomike prej 319 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe kreditorët evropianë.
XS
SM
MD
LG