Lidhje

Bashkimi Evropian dhe fluksi i emigrantëve


EU emergency summit on migrants
EU emergency summit on migrants

Bashkimi Evropian do të hapë 100 mijë qendra pritjeje në Greqi dhe në vende të tjera të Ballkanit për të lehtësuar barrën e emigrantëve. Ndërkohë vazhdon frika e efektit domino, në rast se Gjermania dhe Austria vendosin të mbyllin kufijtë e tyre.

Bashkimi Evropian mbajti dje një samit emergjence në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të BE-së dhe disa vendeve të Evropës Lindore. Takimi ishte kërkuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ishin ftuar të merrnin pjesë udhëheqës nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Rumania, Serbia, Sllovenia, si dhe përfaqësues të organizatave të refugjatëve.

Në një deklaratë të bërë sot nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, thuhet se 50 mijë qendra pritjeje për emigrantët do të krijohen në Greqi dhe 50 mijë të tjera në disa vende të Ballkanit. Deklarata përmban edhe 20 propozime të reja, përfshirë edhe një plan për shkëmbimin e shpejtë të informacionit për të bashkërenduar përpjekjet e vendeve të ndryshme.

“Biseduam me Kryeministrin grek Tsipras për nevojën e shkëmbimit të informacionit për fluksin e emigrantëve. Gjatë gjithë lëvizjes së tyre nga ishujt, drejt portit të Pireut dhe pastaj drejt Maqedonisë, nuk ka patur asnjë njoftim paraprak për autoritetet maqedonase dhe asnjë lloj bashkëpunimi ndërmjet oficerëve të policisë të të dyja vendeve. Pra, ramë dakort se duhet shkëmbim informacioni ndërmjet organeve përkatëse, por edhe në nivel qeverish, në mënyrë që të përballojmë fluksin e prurjeve”, informoi Presidenti i Maqedonisë Ivanov.

Ndërkohë shtohet frika për një mbyllje të mëtejshme të kufijve.

“Ekziston një frikë se Gjermania dhe në vazhdim Austria mund të mbyllin kufijtë e tyre. Kjo do të krijonte një efekt domino dhe personalisht mendoj edhe një katastrofë për Evropën,” u shpreh në përfundim të takimit Kryeministri i Sllovenisë Cerar.

Disa vende, ndër to Bullgaria, Rumania dhe Serbia janë shprehur se do të mbyllin kufijtë e tyre nëse Gjermania dhe vende të tjera fillojnë të mbyllin dyert për refugjatët. Kryeministri serb qartësoi dje se vendi i tij nuk do të reagojë duke ngritur mure, por nuk do të bjerë dakord të mbetet i vetmi vend ndalese për emigrantët.

Gjermania po përpiqet të qetësojë situatën. Sipas Kryeministrit slloven, Kancelarja Merkel ka garantuar se nuk synon mbylljen e kufirit dhe zyrtarë të Komisionit Evropian shpresojnë se negociatat me Turqinë do të sjellin fryte pozitive në javët e ardhshme.

XS
SM
MD
LG