Lidhje

Kaliforni, identifikohet një nga të dyshuarit e masakrës


Autoritetet kanë identifikuar një nga të dyshuarit në masakrën e së mërkurës në një agjenci shërbimesh sociale në San Bernardino të Kalifornisë, që la 14 të vdekur dhe 17 të plagosur.

Mediat thanë se kishin mësuar nga burime të ndryshme të rendit që një shtetas amerikan i quajtur Sajed Faruk ishte njëri nga të paktën dy persona të armatosur rëndë, që hynë në një qendër konferencash dhe hapën zjarr mbi pjesëmarrësit në një veprimtari për Krishtlindjet.

Disa orë më vonë, dy nga të dyshuarit, një burrë dhe një grua, u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, pasi automjeti i tyre u diktua në qytetin Redlands aty pranë. Një polic u plagos gjatë shkëmbimit zjarri, por pa rrezik për jetën.

Gazeta Los Angeles Times thotë se Farook ishte një nga personat e vrarë në shkëmbimin e zjarrit. ​

Shefi i Policisë për San Bernardinon Jarrod Burguan tha se dy të dyshuarit e vrarë ishin me veshje luftarake dhe të armatosur me pushkë e pistoleta. Nuk ka informacione se ç’marrëdhënie kishin ata me njëri-tjetrin.

Një i dyshuar i tretë u arrestua ndërsa përpiqej të largohej nga vendi ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit mes policisë dhe automjetit. Shefi i policisë tha se është e paqartë nëse ai ishte një nga personat e kërkuar apo thjesht dikush që po përpiqej të ikte për t’u mbrojtur.

Burguan i cilësoi vrasjet në San Bernardino si një rast "terrorizmi të brendshëm", por tha se nuk e di se cili mund të ketë qenë motivi. Shefi i policisë tha se po shikohet mundësia e ndonjë grindjeje për çështje pune si shkak i ngjarjes. Ai nuk tha nëse të vdekurit dhe të plagosurit punonin në atë qendër apo ishin thjesht klientë që gjendeshin aty.

Një zyrtar i FBI-së në vendin e ngjarjes tha se tani për tani nuk mund thoshte nëse sulmi kishte të bënte me terrorizëm ndërkombëtar. Ai tha se hetimi kishte zbuluar informacione që mund të çonin në një përfundim të tillë, por autoritetet do të shqyrtonin provat para se të komentonin.

San Bernardino është rreth një orë në lindje të Los Angelesit. Shefi i Policisë u tha gazetarëve se personat e armatosur erdhën në qendrën e trajnimit të përgatitur për të kryer vrasje.

Në komentet për televizionin CBS, Presidenti Barak Obama tha se në SHBA vrasjet në masë janë bërë rrugë, si në asnjë vend tjetër të botës.

Ai tha se ka masa që mund të merren për t’i bërë amerikanët më të sigurtë dhe shtoi se zyrtarët në çdo nivel të qeverisjes duhet të bashkohen pa dallime partiake për të bërë që raste të tilla të jenë të rralla e jo një dukuri normale.

Dy kandidatët kryesorë për president reaguan në Twitter. Demokratja Hillari Klinton tha se ajo nuk mund "ta pranojë këtë ngjarje si normale.” “Ne duhet të marrin masa tani për të ndalur dhunën e armëve,” - tha ajo.

Republikani Donald Trump e cilësoi ngjarjen si ogurzezë dhe u uroi fat policëve në vendngjarje.

Ngjarja në San Bernardino vjen më pak se një javë pasi një person i armatosur vrau tre vetë dhe plagosi nëntë në një klinikë për planifikimin familjar në Kolorado Springs të shtetit Kolorado. Në tetor, një person i armatosur vrau nëntë vetë në një kolegj të shtetit Oregon, ndërsa në qershor një tjetër person i armatosur i bardhë u mori jetën nëntë besimtarëve afrikano-amerikanë në Karolinën e Jugut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG