Lidhje

Hetohen shkaqet e rrëzimit të avionit në San Françisko


Ekspertët amerikanë vazhdojnë hetimet për të gjetur shkakun e rrëzimit të avionit të pasagjerëve të linjës koreanojugore Aseana në aeroportin e San Françiskos në Kaliforni. Të martën, ata intervistuan katër pilotët që drejtonin aeroplanin.

Zyrtarët amerikanë thonë se piloti kryesor i avionit Boeing 777 të rrëzuar në San Françisko e kishte herën e parë si instruktor fluturimi, ndërkohë që mbikqyrte pilotin i cili po drejtonte aktualisht aeroplanin.

Shefja e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, Deborah Hersman tha të martën se ishte hera e parë që dy pilotët fluturonin sëbashku. Ajo tha se piloti në q ë komandonte avionin kishte bërë pothuajse gjysmën e trajnimit për të drejtuar një Boeing 777. Por ajo nuk tha se shkak i rrëzimit të avionit ku humbën jetën dy adoleshente kineze ishte ndonjë gabim i pilotit.

“Nuk mund ta përcaktojmë shkakun ndërkohë që jemi në vendin e rrëzimit. Përfundimi do të dalë pas grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe analizimit të tyre. Do të kërkoja kujdes nga të gjithë ju lidhur me spekulimet mbi shkakun e rrëzimit. Ka shumë informacione që duhet të mblidhen dhe akoma shumë punë për të bërë.”


Zonja Hersman tha se pilotët e pranojnë se avioni kishte lartësi të vogël gjatë uljes dhe u përpoqën ta korrigjojnë këtë para se avioni të përplasej në një mur para pistës.

“Përshkrimi i ngjarjes është bërë nga intervistat me ekuipazhin. Pas përplasjes, avioni u rrotullua 360 gradë.”

Dy vajzat që humbën jetën u gjetën jashtë avionit, i cili mori flakë kur rrëshqiti në pistë. Ekspertët amerikanë thonë se një nga viktimat mund të ishte shkelur nga njëra prej makinave të emergjencës, por kjo nuk është konfirmuar.
Më shumë se gjysma e rreth 300 pasagjerëve dhe ekuipazhit pësuan lëndime. Linja ajrore Asiana konfirmoi se piloti që drejtonte avionin po ulte për herë të parë një Boeing 777 në San Françisko. Hetuesit amerikanë dhe koreanë po punojnë së bashku për aksidentin.
XS
SM
MD
LG