Lidhje

Zyrtarët hetojnë shkaqet e rrëzimit të aeroplanit në San Francisko


Publikohet video nga inspektimet brenda avionit të djegur

Zyrtarët që po hetojnë rrëzimin e një aeroplani në San Francisco kanë publikuar një video që tregon inspektorët duke kontrolluar avionin e djegur të linës koreane Asiana. Sipas autoriteteve aeroplani ishte dukle fluturuar me një shpejtësi më të vogël se normalja gjatë momentit të uljes. Aeroplani goditi pistën e uljes në zbritje e sipër të shtunën dhe më pas mori zjarr.

Pamjet e reja të bëra publike sot tregojnë avionin tejet të dëmtuar dhe pjesë të tij të shpërndara gjithandej përqark pistës së uljes në aeroportin e San Franciskos. Aeroplani u përplas gjatë uljes dhe mori zjarr.

Hetuesit amerikanë thonë se piloti u përpoq të rriste shpejtësinë dhe të hiqte dorë nga ulja vetëm pak sekonda para se të godiste murin e aeroportit. Deborah Hersman është me Bordin Kombëtar për Sigurinë dhe Transportin.

“Kulla e kontrollit i dha avionit korean të drejtën e uljes. Drejtimi dukej normal derisa një kontrollor pa se avioni goditi murin që ndan detin dhe pastaj lëshoi alarmin për urgjencë. Më parë nuk ka patur njoftim për problem të aeroplanit apo kërkesa për ndihmë. Po ashtu nuk janë vënë re probleme në kullën e kontrollit.”

Zonja Hersman tha se kutia e zezë tregon se aeroplani po udhëtonte më ngadalë se shpejtësia e planifikuar.

“Shpejtësia ishte dallueshëm poshtë normales. Ende duhet më shumë informacione. Këto janë gjetjet paraprake nga të dhënat e rregjistruara në kabinën e pilotit.”

Deri dje se 19 udhëtarë ishin ende në spital. Gjashtë prej tyre në gjendje kritike.

Fatmirësisht, 305 nga 307 pasagjerët dhe ekuipazhi i avionit shpëtuan. Dy pasagjerë kinezë të moshave 16 dhe 17 vjeç gjetën vdekje në aksident.

Zyrtarët thane se ishte hera e parë që piloti e ulte avionin Boeing 777 në atë aeroport por nuk është e qartë nëse mungesa e përvojës me avionin apo aeroportin luajtën rol në rrëzimin e avionit.

XS
SM
MD
LG