Lidhje

Gjykata e Krimeve të Rënda shqetësim për shtyrjen e gjyqeve

  • Ilirian Agolli

Avokatët nuk paraqiten në seanca, ose avokatët që cakton gjykata nuk pranojnë të mbrojnë të pandehurit e braktisur nga avokatët personalë.

Gjykata e Krimeve të Rënda shprehu edhe një herë tjetër shqetësimin e vet për shtyrjen e tejskajshme të proceseve gjyqësore ndaj të pandehurve thjesht për shkak të avokatëve mbrojtës nëpër seancat gjyqësore. Kryetari i kësaj gjykate, Sandër Simoni, thotë se gjykime mjaft të rëndësishme për nga akuzat po vonohen prej disa vjetësh sepse avokatët nuk paraqiten për shkaqe nga më të ndryshmet, ose se avokatët që cakton gjykata nuk pranojnë të marrin në mbrojtje të pandehurit e braktisur nga avokatët personalë. Ai tha se “gjykata është e gatshme të rritë shpërblimet për avokatët vetëm që ata të paraqiten në gjyqe dhe proceset të vazhdojnë normalisht”.

Sipas kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, bashkëpunimi i gjykatave me dhomën e avokatëve dhe me ministrinë e drejtësisë ende nuk po jep rezultat, edhe pse bëhet fjalë për një çështje të thjeshtë administrative, ku avokatët fitojnë vetëm pse mungojnë. Nga ana tjetër, zoti Simoni kërkoi në mbledhjen vjetore që “Gjykata e Krimeve të Rënda të ketë më shumë kompetenca në gjykimin e më shumë krimeve kundër personave dhe pronave të tyre”. Krahas shtimit të kompetencave ai kërkoi edhe ashpërsim të Kodit Penal për një seri krimesh, që po shtohen kohët e fundit.

Gjykata e Krimeve të Rënda po bën një punë voluminoze; ajo ka dhënë 6 dënime me burgim të përjetshëm, ka gjykuar mbi 240 persona nën akuza të ndryshme, si dhe ka miratuar mbi 650 kërkesa përgjime nga prokuroria për hetime të ndryshme. Megjithatë, shtyrja e proceseve gjyqësore mbetet një pikë e dobët. Një seri çështjesh të bujshme gjyqësore po mbahen peng nga vonesat dhe nuk mund të mbyllen në mënyrën më paradoksale thjesht për shkak të mungesave të avokatëve.

Përveç grupeve të njohura kriminale, që gjithashtu u zvarritën në qindra seanca, rasti tjetër më i bujshëm është ai i të pandehurit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në plazhin e Durrësit, i cili ia arriti të zvarritë për katër vjet procesin gjyqësor me manovra nga më të ndryshmet nga avokatët. Komentet e Gjykatës së Krimeve të Rënda erdhën pikërisht në ditën e varrimit të një tjetër komisari policie, i cili u vra me breshëri automatiku afër banesës së tij dhe pranë qendrës së kryeqytetit.
XS
SM
MD
LG