Lidhje

Nju Jork: Rifillon transporti publik pas uraganit

  • Suzzane Presto

Miliona njerëz varen tek transporti publik për të qarkulluar në Manhattan, një nga pesë zonat e qytetit të Nju Jorkut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Suzanne Presto sjell hollësi mbi gjendjen e transportit në qytet disa ditë pas stuhisë Sandy.

Trafiku dhe Manhatani janë të pandashëm madje edhe pas stuhisë Sandy.
Dje rifilloi punën një pjesë e sistemit të transportit publik të Nju Jorkut, i cili përmes trenave nëntokësorë lidh shumicën e lagjeve të qytetit.
Stacionet e trenave nëntokësorë u goditën rëndë nga stuhia.

“Udhëtimi me metro është gjithmonë disi i vështirë, por tani pas uraganit është bërë edhe më i vështirë. Unë jetoj në shtetin fqinj, Kënektiket. Kam ardhur këtu për të kërkuar punë dhe gjendja e tanishme e transportit publik po më pengon”.


Pothuaj gjysma e linjave të trenave rifilloi punën me shërbime të kufizuara.

“Shërbimet janë shumë të ngadalshme por jam e kënaqur që rifilloi puna në linjat e trenave”.

Disa linja dhe disa stacione mbeten jashtë funksionit për shkak të përmbytjeve. Përveç kësaj, në Manhatanin e poshtëm ende mungojnë energjia elektrike dhe shërbimet e trenave.

Banorët vazhdojnë të varen nga taksitë dhe autobusët në Nju Jork. Qyteti ka shtuar numrin e autobusëve për të zëvendësuar shërbimet e trenave mes ishullit të Manhatanit dhe lagjes Bruklin. Kjo grua duhet të përdorte autobusin dhe trenin për të arritur në destinacionin e saj.

“Të gjithë po tregohen të durueshëm dhe duhet të bëjmë atë që mundemi në këtë situatë të keqe”.

Problemet me udhëtimin mund të jenë frymëzim për krijimtari.

Disa udhëtarë në Bruklin që donin të shkonin në punë në Manhatan herët në mëngjes u përballen me rradhë të gjata në linjat e autobusëve, por jo të gjithë kishin këtë përvojë.

“Prita pesë minuta. Po punohet për t’i rregulluar gjërat. Ata po përpiqen të gjejnë se ku duhet të ndalojnë dhe gjëra tjera, por të gjithë po tregojnë mirëkuptim”.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg përshëndeti rikthimin e pjesshëm në punë të transportit publik por paralajmëroi:

“Ende ka shumë njerëz udhëtimi i të cilëve është i vështirë”.

Trafiku në autostrada është më i lehtë sepse nuk lejohet hyrja e makinave në Manhatan pa patur të paktën 3 persona në makinë. Udhëtarët nga periferia tani mund të udhëtojnë me tren në drejtim të stacionit të famshëm të Nju Jorkut Grand Central Terminal.

Njujorkezët po tregojnë durim.

“Unë jam mirënjohëse sepse mund të jetë edhe më keq. Ne jetojmë në Nju Jork, kështu që ne duhet të jemi gati për të papriturat, apo jo?”

Por ka një anë pozitive në mes të problemeve. Autoriteti i Transportit Metropolitan ka njoftuar se këtë javë udhëtimi me autobusët dhe trenat e saj do të jetë falas.
XS
SM
MD
LG