Lidhje

Sandy: 100 të vdekur, mbi 50 miliardë dollarë dëme


Viktimat e stuhisë Sandy po përballen me temperaturat tejet të ulta në brigjet lindore ndërsa po vuajnë mungesën e karburantit dhe energjisë elektrike. Stuhia, e cila goditi thuajse një javë më parë, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 100 njerëzve si dhe 50 miliardë dollarë dëme. Më shumë se dy milionë njerëz janë ende pa drita.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg ka nxitur njerëzit pa energji, kryesisht të moshuarit, që të shkojnë nëpër qendrat e pritjes për të gjetur ambjent të ngrohtë dhe ushqim. Pak ditë më parë, kryetari i bashkisë anuloi maratonën tradicionale të qytetit, e cila ishte planifikuar për ditën e sotme. Gjithsesi, qindra turistët e mbledhur për këtë ngjarje në Nju Jork iu bashkuan përpjekjeve të shpëtimit të ditës së sotme, ndërsa disa vrapues organizuan gara të improvizuara me qëllim për të mbledhur të ardhura që t’u vijnë në ndihmë të prekurve nga stuhia.

Për miliona njerëz, furnizimi me karburant do të dojë ditë që të kthehet në normalitet. Mëngjesin e sotëm, të orientuar nga punonjësit e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave, disa njerëz po furnizonin makinat e tyre falas me karburant në Frihold të Nju Xhërsit.

Por ka zona në Shtetet e Bashkuara ku kjo ndihmë nuk ka mbërritur ende. Në Hackensas të Nju Xhërsit, Melisa Stefano dhe i dashuri i saj po presin në radhë për të marë karburant për gjeneratorin e shtëpisë së tyre

"Njerëzit po humbasin durimin".

Është e njëjta situatë acaruese që miliona amerikanë po e përballojnë për thuajse një javë. Radhë të gjatë, në këmbë apo me makinë, thjesht për të marrë disa litra karburant.

“Shikoni shkatërrimet. Sikur jemi në një zonë lufte”.

Ndihma po mbërrin, pasi mbi 60 milionë litra karburant të premtuara nga Agjencia Federale e Ndihmave, është rrugës për në pikat e karburantit, në zonat e goditura nga stuhia Sandy. Edhe Nju Jorku, po kthehet drejt normalitetit.

“Nëse gjërat shkojnë sipas planeve tona, shpresojmë të rihapim trafikun në rrugën” 57 West,” thotë kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut. Zoti Michael Bloomberg ka folur për qytetarët duke treguar ecurinë e deritanishme. Një vinç i madh që rrezikonte një godinë, tashmë është riparuar, semaforët po punojnë përsëri, linjat e metrosë po nisin punën normalisht, dhe dyqanet e ushqimeve kanë nisur të hapen sërish...

Por nëse Manhateni ka nisur të marrë veten, duket se lagjet e tjera të qytetit, të goditura nga stuhia Sandy, do të duan kohë për t’iu rikthyer normalitetit.
XS
SM
MD
LG