Lidhje

Stuhia Sandy, të paktën 32 të vdekur në SHBA


Zyrtarët e emergjencave po vlerësojnë përmasat e shkatërrimit nga stuhia Sandy, që goditi rëndë brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara duke shkaktuar përmbytje të mëdha, ndërprerje të energjisë elektrike dhe vdekjen e të paktën 32 vetëve.

Presidenti Barack Obama shpalli gjendjen e "katastrofave madhore" në shtetet Nju Jork dhe Nju Xhërzi, ku stuhia e madhe Sandy dëmtoi rëndë rajonin, duke përmbytur rrugët në nivel të ulët dhe duke ndërprerë rrymën elektrike në pjesën më të madhe të rajonit. Shpallja e gjendjes së katastrofave në këto dy shtete nga presidenti vë në dispozicion fonde federale për të ndihmuar zonat e prekura.

Autoritetet thonë se të paktën 16 veta përgjatë bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara humbën jetën si pasojë e stuhisë, e cila shkaktoi të paktën 65 të vdekur në Karaibe javën e kaluar para se të lëvizte drejt Shteteve të Bashkuara. Shumica e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara ishin rezultat i aksidenteve automobilistike dhe rrëzimit të pemëve.

Stuhia Sandy goditi mbrëmë vonë bregdetin e shtetit New Jersey me errëra deri në 130 kilometra në orë dhe shkaktoi dallgë të papara 4 metra të larta në qytetin e Nju Jorkut, duke përmbytur tunele, stacione metroje dhe sistemin elektrik që furnizon Wall Street-in.

Të paktën 14 veta humbën jetën si pasojë e superstuhisë Sandy, e cila shkaktoi edhe bllokimin e fushatave të dy kandidatëve presidencialë, vetëm një javë para zgjedhjeve.
Për qytetin e Nju Jorkut të paktën stuhia kaloi me furi nëpër qytet, me errëra dhe shira, që përmbytën qytetin nga tre drejtime, por brënda pak orësh gjendja u qetësua. Megjithatë, qindra mijëra njujorkezë nuk kanë rrymë elektrike dhe llogaritet se 5.7 milion njerëz janë në errësirë në bregdetin lindor të vendit.

“Qyteti ka kaluar tashmë intensitetin më të madhe të stuhisë dhe tani po ndjejmë pasojat. Në zonën Battery kemi parë nivele rekord të ujit, sasi të mëdha uji në Manhatanin e poshtëm. Në mbarë qytetin janë rrëzuar pemë. Lajmi i keq është se kompania elektrike ConEd ka ndërprerë rrymën në një zonë të madhe dhe sipas përllogaritjeve më të fundit, rreth 250 mijë klientë të saj janë pa rrymë elektrike," tha Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

Do të duhet një farë kohe për të përcaktuar dëmet e plota të shkaktuara nga studia Sandy në gjithë rajonin. Gjithashtu, shirat, që vazhdojnë dhe përmbytjet e mëtejshme përbëjnë kërcënime të mëdha për ditët në vazhdim, ndërsa Sandy vazhdon rrugën drejt shtetit të Pensilvanisë dhe pjesës veriore të shtetit të Nju Jorkut.

“As që nuk mund ta mendosh që një gjë e tillë mund të ndodhë në mes të qytetit të Nju Jorkut, prandaj gjëja më e mirë që mund të bëjmë tani është të ruajmë qetësinë sa më shumë që të jetë e mundur. Policia e Nju Jorkut po bën të gjitha përpjekjet, me makina patrulluese në çdo bllok të qytetit për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, tha Rohit Massy, i cili ishte bllokuar në Manhatan mbrëmë vonë.

Në përpjekje për të parandaluar dëme edhe më të mëdha nga uji i kripur në sistemin e metrosë dhe rrjetin elektrik, që kalon poshtë distriktit financiar të qytetit, kompania më e madhe elektrike ndërpreu rrymën elektrike për rreth 6,500 banorë të Manhatanit të poshtëm.

Por një zonë shumë më e madhe e qytetit u përfshi nga errësira e shkaktuar nga përmbytjet dhe shpërthimet e transformatorëve. Rreth 670 mijë banorë mbetën mbrëmë pa rrymë elektrike në Nju Jork dhe në distriktin periferik të Westchester-it.

“Nuk e dimë se kur do të na kthehet rryma dhe as që nuk mund të informohen për këtë sepse edhe bateria e telefonit celular po më bie”, tha ky banor i Nju Jorkut.

Agjencia e sitemit publik të Nju Jorkut njoftoi për ngritjen e e nivelit të ujit në dy tunele të mëdha transporti, Queens Midtown dhe Brooklyn-Battery. Ajo ndërpreu elektricitetin në disa tunele të metrosë në Manhatanin e poshtëm, pasi uji filloi të hynte në stacione dhe në shina.

Ndërkohë, zyrtarët e qytetit dhe ata të emergjencës po monitorojnë një vinç gjigand ndërtimi, që lëkundej nga erërat e fuqishme në mes të stuhisë në Manhatan, duke shkaktuar shqetësime se mund të thyhej. Banorët e zonës përreth u evakuan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG