Lidhje

Nju Jorku rikthehet si qytet i preferuar turistik


Uragani Sandy ishte një ndër stuhitë më të rënda në historinë e Nju Jorkut. Uragani përmbyti shtëpi e biznese, ndërpreu rrymën elektrike për Manhattanin, Brooklynin, Staten Island and Queens dhe pezulloi metrotë e autobusët urbanë. Sandy goditi edhe një ndër industritë më të mëdha të Nju Jorkut – turizmin. Në vazhdim ju njohim me Nju Jorkun turistik dhe në çfarë gjendjeje e ka lënë atë stuhija:

Mbi 50 milionë turistë vizitojnë çdo vit Nju Jorkun. Shumë prej tyre i tërheq luksi dhe dritat, apo shfaqjet spektakolare. Turistët shpenzojnë në vit mbi 55 miliardë dollarë në këtë qytet. Por uragani Sandy dhe pasojat që solli i kanë shqetësuar turistët.

"E planifikuam udhëtimin prej kohësh. Fillimisht menduam ta anulojmë, por kur po afrohej dita vendosëm të shkojmë,” shprehet një turiste.

Pjesa më e madhe e frekuentuesve të shfaqjeve teatrale në Broadway janë nga qytete të tjera. Shitjet vjetore të biletave arrijnë në 1 miliard dollarë.

Kur, si rezultat i Sandy-t u shuan dritat e skenave për tri ditë – periudha më e gjatë në histori, Broadway humbi 8 milionë dollarë në të ardhurat nga biletat.
Charlotte St. Martin, presidente e Lidhjes së Brodwayt, thotë se kur skenat e Brodwayt janë në errësirë, Nju Jorku është në errësirë. Për të, ngritja e siparit është një akt hyjnor:

"Ndoshta pasi shprehja “shfaqja duhet të vazhdojë” nuk është thjesht një frazë që tingëllon bukur. Ajo është në zemrën dhe thelbin e të gjithë atyre që punojnë në Broadway. Qoftë aktori, shitësi i biletave, sufleri, regjisori, të gjithë ndjejnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme që të ndizen dritat e skenës për interpretuesit”.

Nancy Plaeger është presidente e Dhomës së Tregtisë për Manhatanin. Ajo pohon se turistët shprehnin shumë irritim në fillim.

"Asgjë nuk ishte e hapur, nuk kishte ku të shkonin për blerje, nuk mund të vizitonin objektet turistike. Shumë prej tyre mbetën të mbyllur në hotele dhe hanin në restorantet e lagjes. Nuk kishin mundësi as të dilnin për shëtitje në park”.

Një shëtitje me anije turistike rrotull ishullit të Manhatanit është ndër aktivitetet e preferuara për shumë turistë. Flota e kompanisë Circle Line nuk u dëmtua gjatë stuhisë, thotë zëdhënësi Jason Hackett, por moloja u përmbyt nga stuhija.

"Uji u ngrit afro 2 metra e gjysmë mbi molo, duke shkatërruar sistemin elektrik, sistemin kompiuterik dhe na u deshën disa ditë të rikthenim çdo gjë në funksionim për turistët”.

Në ditën e parë të rifillimit të tureve, 1 mijë e 200 vizitorë dolën shëtitje me anijet turistike për të parë qytetin e famshëm.

"E kam pasur ëndërr të vija në Nju Jork dhe u ballafaquam me një makth të vogël. Por tani qyteti po rimëkëmbet. E dimë që Amerika është fantastike në çdo gjë. Nju Jorku është mrekulli!”.

Në zonat e fshehura për sytë e turistëve, mijëra nju jorkezë ende vuajnë efektet e uraganit. Disa ende nuk kanë energji elektrike, të tjerë janë pa shtëpi ndërkohë që afron dimri.

Megjithatë qytetit i është kthyer gumëzhima. Siç është shprehur një shkrimtar për Nju Jorkun “Nuk mund ta mbash përtokë diçka që është krijuar të ngrihet në këmbë”.
XS
SM
MD
LG