Lidhje

Sanksionet e SHBA dhe BE ndaj Rusisë


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të tjera kundër Rusisë duke thënë se Moska ka dështuar të përmbushë angazhimin e saj për të punuar për uljen e tensioneve në Ukrainën lindore. Perëndimi po akuzon Rusinë për nxitje të trazirave nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore me synimin për destabilizimin e vendit. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë paralajmërojnë për sanksione të tjera në se Rusia nuk zbaton marrëveshjen e arritur në Gjenevë në fillim të këtij muaji.

Bashkimi Evropian publikoi sot emrat e 15 rusëve që janë vënë në shënjestër të sanksioneve për shkak të rolit të tyre në krizën në Ukrainë.

Lista përfshin zëvendës kryeministrin rus Dmitry Kozak dhe gjeneralin Valery Gerasimov, shefin e shtabit të forcave të armatosura ruse.

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijancic u tha gazetarëve se këta individë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krizën në Ukrainë.

"Këta njerëz janë përgjegjës për veprimet kundër integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës. Ata iu shtohen të tjerëve në listë duke e çuar në 48 numrin e atyre që do t’u bllokohen pasuritë dhe do t’ju ndalohet udhëtimi.”

Shtatë zyrtarë dhe 17 kompani në listën e sanksioneve amerikane përfshijnë të dërguarin e presidentit rus Vladimir Putin në Krime, shefin e shërbimit për mbrojtjen e presidentit rus dhe kreun e kompanisë më të madhe shtetërore të naftës në Rusi.

Sanksionet e reja vënë në shënjestër kompani dhe zyrtarë qeveritarë që janë të lidhur me presidentin Vladimir Putin. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha se sankionet kufizojnë gjithashtu liçensat për disa eksporte amerikane në Rusi.

"Ne e kemi ndjerë vazhdimisht se ka një sërë zyrtarësh me lidhje të ngushta me presidentin Putin, të cilët i kanë mbështetur këto akte të paligjshme në Ukrainë."


Analistët thonë se asgjë përveç sanksioneve të fuqishme ekonomike nuk mund ta ndalë Moskën në këtë kohë. Drejtori i organizatës Freedom House, David Kramer thotë se sanksionet e tanishme janë shumë të pafuqishme.

"Mendoj se sanksionet duhet të jenë më të ashpra – ato duhet të godasin më rëndë sektorët e ekonomisë ruse. Kjo do të shkaktonte dhimbje veçanërisht në Evropë dhe më pak në Shtetet e Bashkuara dhe mendoj se lista e publikuar të hënën nga presidenti Obama tregon një fare ndjeshmërie ndaj vështirësive për të koordinuar këtë me evropianët. Presidenti Obama e ka bërë të qartë se kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja të paraqiten në një front të bashkuar”.


Në Moskë, presidenti Putin kërkoi të sigurojë politikanët ruse se ushtria e vendit nuk do të dëmtohet nga humbja e bashkëpunimit me industrinë ushtarake të Ukrainës. Ai tha se specialistëve ushtarakë ukrainas u është ofruar tashmë punë në industrinë ruse të mbrojtjes.

"Ata do të kenë paga dhe apartamente të mira. Do të merrni të gjithë buxhetin e nevojshëm për këtë. Procesi tashmë ka filluar."

Ndërkohë ekonomia ruse që po kalonte në vështirësi që para krizës në Ukrainë, duket se po bie edhe më tej, ndërsa monedha e vendit ka shënuar vlerën më të ulët në të gjitha kohërat, bursa po ashtu ka rënë investitorët kanë filluar të tërheqin investimet nga ekonomia ruse.
XS
SM
MD
LG