Lidhje

Sarkozi pritet të ngrejë çështjen e proteksionizmit në Uashington


Sarkozi pritet të ngrejë çështjen e proteksionizmit në Uashington
Sarkozi pritet të ngrejë çështjen e proteksionizmit në Uashington

Vizita e presidentit francez Nikola Sarkozi në Uashington, e planifikuar për në fund të marsit mund të eklipsohet nga akuzat evropiane kundër Shteteve të Bashkuara për proteksionizëm. Udhëheqës nga Franca, Britania dhe Gjermania akuzojnë Departamentin amerikan të Mbrojtjes se po ndryshon specifikat për një kontratë ushtarake prej 40 miliardë dollarësh duke e lënë të vetme kompaninë amerikane Boing në tender. Firma amerikane Northrop Grumman dhe kompania Evropiane e Aeronautikës për Mbrojtje dhe Hapësirën i tërhoqën ofertat e tyre nga ky tender në fillim të muajit. Ekspertët e industrisë thonë se lëvizja evropiane mund të ketë pasoja për prodhuesit amerikanë.

Kur Pentagoni njoftoi tenderin për të zëvendësuar flotën e vjetëruar të çisternave ajrore të furnizimit, pak njerëz përfytyronin problemet që kjo do të krijonte.

"Nuk e kam parë këtë situatë gjatë 25 vjetëve", thotë konsulenti i industrisë Richard Aboulafia.

Sipas tij, disa nga avionët që përdoren për funizimin në ajër janë më se 50 vjeçarë.

Edhe në se zëvendësimi i tyre fillon tani, kur ky proces do të përfundojë kur ata të jenë 75 vjeçarë.

Northrop Grumman në partneritet me EADS, kompania mëmë e Airbus-it bëri ofertë ashtu si korporata amerikane Boeing.

Por kur Pentagoni ndryshoi specifikat e kontratës, Boing mbeti e vetmja kompani në tender për një kontratë që mund të arrijë 50 miliardë dollarë.
Në një vizitë të fundit në Britani, presidenti francez Sarkozi akuzoi Shtetet e Bashkuara për protektonizëm.

"Kjo nuk është mënyra për të trajtuar aleatët evropianë të Amerikës dhe nuk është mënyra e duhur e sjelljes së një vendi të rëndësishëm", tha Sarkozi.

Zyrtarët francezë thonë se zoti Sarkozy do të diskutojë çështjen kur të takohet me presidentin Obama në fund të muajit.

Franca ka marrë mbështetjen e disa udhëheqësve evropianë, përfshi atë të kryeministrit britanik Gordon Brown.

"Unë gjithashtu jam i zhgënjyer nga vendimi i amerikanëve dhe ne i kemi bërë të qarta pikëpamjet tona rreth kësaj çështje. Ne besojmë në tregëtinë e lirë, në tregjet e hapura dhe në konkurrencën e hapur", tha zoti Brown.

Ndërsa disa thonë se akuzat e zotit Sarkozi janë me vend, zoti Aboulafia beson se avantazhet e Boing-ut kanë të bëjnë më shumë me politikat e brendshme sesa me protektonizmin.

Në fund të fundit, ata panë se plani i Boingut anon më shumë nga partia demokrate. Kurse tjetri anon nga republikanët. Ata mund të kenë bërë llogarinë se me demokratët në kontroll ky plan do të merrte më shumë financime.

Disa thonë se argumenti evropian ka pak peshë pasi qeveria franceze nuk ka blerë asnjëherë një produkt të ushtrisë amerikane kur ka qënë i mundur një prodhim evropian.

Por Aboulafia paralajmëron se çështja mund të shkaktojë probleme për prodhuesit amerikanë.

Shqetësimi këtu qëndron në faktin se evropianët po përdorin akuzën e protektonizmit si një arsye për të mbyllur kufijtë e tyre dhe praktikisht për të siguruar më shumë blerje evropiane për produktet evropiane të sistemit të armëve sesa ato amerikane. Ky është rreziku i vërtetë.

Por edhe nëse Boeing-u merr kontratën, Aboulafia thotë se kontratat ushtarake përbëjnë vetëm një fraksion të porosive të aviacionit civil.

Ai thotë se kërkesat në rritje në mbarë botën për avionë më të mëdhenj dhe më të efektshëm ka të ngjarë ta mbajnë të ndezur konkurrencën mes prodhuesve amerikanë dhe evropianë të avionëve.

XS
SM
MD
LG