Lidhje

Sateliti i ri i mjedisit cilësohet nga NASA si ‘Kujdestari i planetit tonë’


T
T

Agjencia amerikane e hapësirës NASA dërgoi në orbitë një satelit me vlerë 1,5 miliardë dollarësh, me anë të së cilit synon të përmirsojë parashikimet e motit dhe të monitorojë ndryshimet klimatike afatgjata. Sateliti, i njohur si sistemi satelitor kombëtar i mjedisit operues në orbitën polare, po lëviz mbi një raketë Delta II, 800 kilometra mbi sipërfaqen e tokës.

Ndoshta sot pyetët veten nëse duhet të merrnit apo jo një ombrellë me vete, para se të dilnit prej shtëpisë. Ndoshta ju menduat nëse rrezet ulravjollcë apo cilësia e keqe e ajrit do të shkaktonin apo jo probleme për t’u konsideruar, nëse ju duhej të qëndronit jashtë gjithë pasditen. Për disa njerëz këto pyetje mund të jenë edhe më serioze, si për shembull, do të ketë ndonjë zjarr apo përmbytje në qytet.

Informacioni për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla vjen nga lart. Studiuesit presin përmirësime të mëdha prej satelitit të sapolëshuar nga NASA që do të vëzhgojë tokën. Ai peshon dy tonë, ka përmasat e një autobusi të vogël, dhe quhet sistemi satelitor kombëtar i mjedisit operues në orbitën polare.

Ken Schwer është administrator i projektit që realizoi lëshimin në hapësirë të satelitit me qendër në Mariland.

“Për studimet e klimës që do të mundësojë, për parashikimet e detajuara të motit dhe për monitorimin e dukurive të rëndësishme, mbi satelitin kombëtar të mjedisit duhet të shkruhej: Kujdestari i planetit tonë.”

NASA thotë se sateliti do të orbitojë rreth tokës 14 herë në ditë dhe do të vëzhgojë pothuajse gjithë sipërfaqen e saj. Sateliti përmban pesë mjete kryesore që do të monitorojnë lagështinë e atmosferës, trysninë e ajrit, nivelet e ozonit dhe të rrezatimit të tokës, si dhe do të përcjellë pamje infra të kuqe të zjarreve, ndryshimeve të terrenit dhe lëvizjeve të pllakave të akullit.

Jim Gleason është shkencëtar që punon gjithashtu në qendrën e fluturimeve të hapësirës Goddard të NASA-s në Mariland. Ai thotë se sateliti kombëtar i mjedisit është i pari që ofron vëzhgime të dobishme si për parashikuesit e motit ashtu edhe për studiuesit e klimës. Ai shpjegon se studimi i motit merret me parashikimet e afërta ndërsa ai i klimës konsideron sjelljet e motit në mënyrë afatgjatë.

“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se çfarë mund të sjellë e ardhmja e mjedisit dhe ajo është e lidhur si me motin e ditës së nesërme ashtu edhe me ndryshimet afatgjata të klimës.”

Zoti Gleason është specialist i shtresave të ozonit të tokës. Ai thotë se të dhënat e reja do të ndihmojnë shkencëtarët të vlerësojnë efektshmërinë e politikave të ndërmarra në vitet ’80 për uljen e niveleve të substancave shkatërruese të ozonit në atmosferë.

Shkencëtari Mitch Goldberg, i cili punon për Agjencinë Kombëtare Amerikane të Oqeaneve dhe Atmosferës, thotë se sateliti i fundit i lëshuar nga agjencia e tij la tokën në vitin 2009 dhe pritet të punojë për tre vjet.

“Sateliti kombëtar i mjedisit është shumë i rëndësishëm për Agjencinë e Oqeaneve dhe Atmosferës, për NASA-n, për Shtetet e Bashkuara dhe për gjithë komunitetin ndërkombëtar. Ai përfaqëson një zhvendosje nga operacionet e deritanishme të veçanta të agjencisë tonë dhe satelitët për studime të NASA-s në një platformë të re, e njohur si sistemi satelitor polar i përbashkët. Sateliti do të përcjellë infromacione tejet të rëndësishme dhe të përmirësuara mbi atmosferën, oqeanet dhe terrenin tokësor, që do të mund të përdoren në mënyra të shumëllojshme.”

Sateliti kombëtar i mjedisit pritet të punojë për 5 vjet duke mbuluar tërësisht kohën deri në lëshimin e një tjetër sateliti në vitin 2015. Shkencëtarët thonë se sateliti kombëtar i mjedisit do të përmirësojë parashikimin e dukurive ekstreme 5 deri në 7 ditë përpara dhe se ai do të jetë baza e një sistemi global të vëzhgimit.

XS
SM
MD
LG