Lidhje

Pas ekzekutimeve në Arabinë Saudite


Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, thotë se Arabia Saudite do të përballet me një “hakmarrje hyjnore” për ekzekutimin e Sheik Nimr al-Nimr, që ishte ndër kritikët kryesorë të familjes mbretërore saudite. Garda Revolucionare e Iranit deklaroi sot se vdekja e tij do të çojë drejt rrëzimit të monarkisë saudite. Ky ekzekutim ka shkaktuar zhgënjim dhe zemërim ndërkombëtar.

Myslimanë shiitë në Indi, marshuan sot në qytetin Srinagar, për të shprehur kundërshtimin për ekzekutimin e 47 personave, në veçanti të klerikut Sheik Nimr al-Nimr.

“Po protestojmë sot për martirizimin e Ayatollah Sheikh Baqir Nimr në Arabinë Saudite, së bashku me 42 besimtarë të tjerë. E dënojmë këtë ekzekutim me forcën më të madhe”, thotë udhëheqësi shiit Syed Mujahid.

Kleriku shiit që respektohej gjerësisht u dënua me vdekje në vitin 2014 për kryengritje dhe akuza të tjera.

Ai ishte një kritik i hapur i familjes mbretërore saudite dhe një ndër udhëheqësit kryesorë të protestave shiite në vitin 2011 në Arabinë Saudite.

Shtetet e Bashkuara patën paralajmëruar se vdekja e tij do të nxiste më tej konfliktin ndërmjet sekteve fetare në rajon.

“Me krimin e kryer sot nga dinastia saudite, njerëzit po mësojnë se ekziston një armik më i madh i Islamit, se Amerika dhe Izraeli – është dinastia saudite”, thotë protestuesi Ishfaq Ali.

Demonstrata të ngjashme mbahen sot edhe në Liban dhe Teheran, ku mendohet se është përqëndruar edhe zemërimi më i madh.

XS
SM
MD
LG