Lidhje

Arabia Saudite ekzekuton 47 persona të akuzuar për terrorizëm


Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite tha se ka ekzekutuar sot 47 persona, përfshirë një klerik të njohur shiit, të dënuar për terrorizëm. Ky ishte numri më i madh i ekzekutimeve brenda një dite në më shumë se tre dekada.

Në mesin e të ekzekutuarve kishte një person nga Çadi dhe një tjetër nga Egjipti, të gjithë të tjerët ishin sauditë. Shumica e tyre ishin militantë suni që akuzoheshin për lidhje me al-Kaidën. Ekzekutimet u kryen në 12 qytete në mbarë vendin. Ministria e Brendshme saudite tha se kleriku i njohur shiit, Sheik Nimr el-Nimr ishte ne mesin e të ekzekutuarve. Ai ishte një figurë qendrore në protestat shiite gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011 dhe ekzekutimi i tij mund të ringjallë trazira në mesin e pakicës shiite në vend.

Ekzekutimet kanë nxitur reagimet e grupeve të të drejtave të njeriut dhe Iranit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Jaber Ansari tha se Arabia Saudite do të “paguajë një çmim të lartë” për ekzekutimin e klerikut shiit Al-Nimr. Organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International” tha se Arabia Saudite është një nga vendet me nivelin më të lartë të ekzekutimeve në botë, pas Kinës dhe Iranit.

XS
SM
MD
LG