Lidhje

SHBA-Arabia Saudite, dallime taktike mbi Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Saud al- Faisal thonë se vendet e tyre janë dakord mbi qëllimin e heqjes nga pushteti të presidentit sirian Bashar al- Asad. Por ata nuk janë dakord mbi mënyrën më të mirë për arritjen e këtij synimi. Korrespondenti Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns njofton nga kryeqyteti i Arabisë Saudite ku dje sekretari Kerry takoi edhe Mbretin Abdullah për të diskutuar mbi Sirinë, Iranin, Egjiptin dhe bisedimet izraelito-palestineze të paqes.

Ministri i Jashtëm saudit tha se njoftimet e mediave për dallime të mëdha mes Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë të vërteta.
Pas bisedimeve dje në Riad, Princi Saud tha se marrëdhëniet e vërteta janë të bazuara në sinqeritet dhe shkëmbime të drejtpërdrejta, prandaj është e natyrshme që "politikat dhe pikëpamjet tona në disa fusha të shihen nga të tjerët si shenja mosmarrëveshjeje."

Zyrtarët amerikanë që udhëtojnë me Sekretarin Kerry thonë se udhëheqësit sauditë shprehën zhgënjimin e tyre me vendimin e Uashingtonit për të hequr dorë nga bombardimi i objektivave ushtarake në Siri në favor të një plani për eliminimin e armëve kimike. Princi Saud thotë se për Rijadin, ndërhyrja ushtarake është një përgjegjësi morale.

"Nëse bëhet një zgjedhje morale për ndërhyrje ose jo, cila duhet të jetë ajo? A duhet të lejojmë vazhdimin e tragjedisë apo të ndihmojmë nëse kemi mundësi"?

Arabia Saudite është duke ndihmuar krahun e myslimanëve suni të rebelëve që po luftojnë kundër Presidentit Asad.

Sekretari Kerry tha se administrata e presidentit Obama preferon një zgjidhje të negociuar, sepse Shtetet e Bashkuara në këtë pikë nuk kanë "autoritetin ligjor, justifikimin ose dëshirën për të ndërhyrë në këtë luftë civile."

Por ai gjithashtu u përpoq të minimizonte dallimet me Arabinë Saudite mbi Sirinë duke i quajtuar ato thjeshtë dallime taktike.

"Arabia Saudite ka dëshmuar shumë herë se është një partner i domosdoshëm. Por ajo është një partner i domosdoshëm që ka pikëpamje të pavarura dhe të rëndësishme. Dhe ne e respektojmë këtë."

Udhëheqësit sauditë janë të shqetësuar nga mundësia e përmirësimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Në veçanti, ata janë të shqetësuar në lidhje me mbështetjen e Iranit për presidentin sirian Assad dhe përpjekjet për t’i shpëtuar sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Teheranit për shkak të programit të tij bërthamor.

Duke folur përmes një përkthyesi, Princi Saud tha se synimet e Iranit janë duke u vënë në provë.

"Tani hapi më i rëndësishëm që mund të marrë për të treguar synimet e tij të mira është tërheqja nga Siria dhe largimi i aleatit të tij libanez, Hezbollahut nga atje. "

Sekretari Kerry riafirmoi angazhimin e Uashingtonit për të parandaluar përpjekjet e Iranit për prodhimin e një bombe bërthamore dhe për të mbrojtur aleatët e saj në rajon, pavarësisht nga bisedimet e kësaj jave në Gjenevë mbi programin bërthamor të Iranit.

"Asgjë që ne po bëjmë në këto negociata nuk do të ndryshojë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite dhe marrëdhëniet tona në këtë rajon."

Princi Saud tha se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të mbrojë të drejtat e palestinezëve. Sekretari Kerry tha se ai e informoi Ministrin e Jashtëm dhe Mbretin Abdullah rreth përpjekjes së tij për të arritur një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito- palestinez.

Arabia Saudite po ndihmon financiarisht qeverinë e përkohshme të Egjiptit të mbështetur nga ushtria. Por Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar një pjesë të ndihmave ushtarake për blerjen e armëve për Egjiptin për shkak të dhunës që pasoi grusht-shtetin e korrikut kundër udhëheqësit të parë të vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Kerry tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me Arabinë Saudite drejt një transformimi ekonomik në Egjipt që do të mundësonte një tranzicion "gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm, demokratik dhe civile të udhëhequr nga qeveria."

Nga Arabia Saudite, Sekretari Kerry udhëton në Poloni për bisedime mbi tregtinë, investimet dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Në këtë udhëtim 10 ditor, ai gjithashtu ka në plan të vizitojë Jordaninë, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë dhe Marokon.
XS
SM
MD
LG