Lidhje

Zhvillimet në Arabinë Saudite dhe Jemen


Vdekja e Mbretit të Arabisë Saudite Abdullah dhe rrëzimi i qeverisë në Jemen kanë krijuar pasiguri të mëtejshme për aftësinë e Shteteve të Bashkuara që të luftojë militantët në Lindjen e Mesme, si dhe të përmbajë influencën e Iranit në rajon. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Luis Ramirez, njofton për ndërlikimet e reja dhe të papritura me të cilat përballet tashmë adminstrata Obama dhe politika e saj në Lindjen e Mesme.

Një sfond i komplikuar në Gadishullin Arabik bëhet tashmë edhe më kompleks ndërkohë që Arabia Saudite varrosi mbretin e saj dhe caktoi të vëllanë e tij, Salman, si pasardhësin.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë shprehur se shpresojnë se sauditët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me SHBA-në për të parandaluar vendosjen e ekstremistëve në Jemen dhe përdorimin e këtij vendi si bazë për organizimin e sulmeve terroriste nëpër botë.

“Duke qenë se kanë një kufi të përbashkët, Arabia Saudite është veçanërisht e interesuar në lidhje me aktivitetin e ekstremistëve në Jemen.”

Situata është zhytur në pasiguri të mëtejshme me rënien e qeverisë në Jemen që kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Jemeni ka qenë një pjesë e rëndësishme e luftës së Shteteve të Bashkuara kundër Al-Kaidës në Gadishullin Arabik, organizata e cila mori përgjegjësinë për sulmet e kryera në Paris.

Udhëheqja e mëparshme lejoi që Shtetet e Bashkuara të zhvillonin sulme ajrore me avionë pa pilot kundër objektivave të Al-Kaidës në këtë vend. Tashmë është e pasigurtë e ardhmja e këtyre operacioneve kundër terrorizmit, dhe më gjerë.

Në lidhje me Jemenin dhe me luftën kundër Shtetit Islamik, Arabia Saudite ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë që qindra sauditë u vendosën në radhë për t’i premtuar besnikërinë mbretit të ri Salman, të dhënat paraprake janë se tranzicioni është i butë.

Analisti i çështjeve të sigurisë, Anthony Cordesman, nuk shikon ndryshime domethënëse në këtë marrëdhënie.

“Vdekja e Mbretit Abdullah nuk do të ketë shumë impakt. Mbreti i ri Salman ka një eksperiencë të gjatë bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara. Ai e kupton plotësisht domethënien e aleancës.”

Aleanca ka qenë e trazuar rishtazi, siç u dëshmua gjatë udhëtimit të Presidentit Obama në muajin mars, kur ai dëgjoi komente të forta nga Mbreti Abdullah.

Sauditët e shikojnë angazhimin e zotit Obama në lidhje me Iranin, dhe diplomacinë në zhvillim për çështjen bërthamore, si një bast të rrezikshëm që mund të fuqizojë përfundimisht Teheranin.

Pasi hipi në fron të premten, pasardhësi i Abdullah u shfaq në televizionin saudit dhe tha se do të vazhdojë politikat e të vëllait. Këto janë fjalë të mirëpritura për zyrtarët amerikanë në këto kohëra të pasigurta.

XS
SM
MD
LG