Lidhje

Buxheti për fëmijët në Shqipëri


Organizata “Save the Children” publikoi sot studimin mbi buxhetin për fëmijët, nga doli se shpenzimet publike nuk janë të mjaftueshme për realizimin e të drejtave të fëmijëve. Studimi zbuloi se shpenzimet për fëmijët në programet buxhetore kanë rënë tre vitet e fundit. Gati gjysmën e parave që buxheti ndan për fëmijët i merr arsimi dhe i gjithë ky fond shkon vetëm për pagat e mësuesve.

Drejtorja e organizatës Save the Children” Anila Meço thotë se ky është studimi i parë në Shqipëri që kërkon të vihen në qendër të politikave buxhetore te drejtat e fëmijëve, ndërkohë që varfëria e tyre është e madhe dhe fondet të pamjaftueshme. Sa i takon mbrojtes sociale, 85 mijë fëmijë nga 144 mijë që jetojnë në familje të varfëra përfitojnë nga ndihma ekonomike. Në zonat rurale shërbimet sociale janë shumë të kufizuara dhe inekzistente, dhe ka mungesa kopshtesh, thekson raporti.

Komisioni Europian e ka mbështetur projektin dyvjecar për rritjen e investimeve publike neë dobi të të drejtave të fëmijëve. Përfaqësuesi i Komisionit, Inge Engstrom thotë se vëmendja u duhet kushtuar fëmijëve me varfëri, me paaftësi fizike, pakicave dhe fëmijëve të pambrojtur. Sipas tij, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për mirërritjen e fëmijëve, për të plotësuar standartet e Bashkimit Europian dhe 5 detyrat e Udhërrëfyesit, midis të cilave janë edhe të drejtat njerëzore.

“Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve nuk është vetëm një përgjegjësi ligjore dhe morale, - thotë zoti Engstrom, - por lidhet fort me përdorimin e parave publike. Shpenzimet për fëmijët duhen parë si një investim për të ardhmen dhe jo si harxhim i sotëm, tha ai. Shoqëria civile dhe aktorë të tjerë mund të sigurojnë më mirë të drejtat e fëmijëve me mbështetjen e Bashkimit Europian, i cili e nxit qeverinë të ecë përpara në këto qëllime të mira.

Një tjetër fushë problematike është shëndetësia për fëmijët. Studimi nxorri se në shëndetësi janë reduktuar shpenzimet për kujdesin parësor dhe dytësor. Kequshqyerja e grupit 6 vjeç është në norma shumë të larta, deri 27 për qind, dhe lidhet me varfërine e familjeve. Megjithatë po kërkohen rrugë të reja për fuqizimin e kujdesit parësor ku fëmija mund të mbrohet më mirë.

Studimi i “Save the Children” theksoi se shpenzimet shtetërore nuk arrijnë tek fëmijët në nevojë. Janë ende të pakta dhe të dobëta shërbime si kopshtet, që të mbajnë fëmijët kur punojnë prindërit. Drejtësia për të miturit po ashtu ka nevojë për investime dhe forma alternative dënimesh. Mbi 40 për qind e popullsisë shqiptare janë nën moshën 25 vjeç, ndaj ekspertët pohuan se vitin e ardhshëm duhet bërë kujdes, që ata t'i përfitojnë vërtet fondet e ndara në dobi të tyre.

XS
SM
MD
LG