Lidhje

Tiranë: Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe projekti i organizatës "Save the Children"


Organizata Save the Children sapo ka nisur një projekt për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuara, pas një studimi sipas të cilit, në të gjithë Shqipërinë jetojnë 17 mijë 162 fëmijë me probleme të tilla.

Sipas studimit, rrethet me numër të lartë të fëmijëve me aftësi të kufizuara janë Tirana me 3,512, Elbasani me 2,752, Fieri me 2147, Durrësi me 2000 fëmijë, Shkodra me 1708 fëmijë, Dibra me 1449 fëmijë, Korça me 1432, Lezha me 799 fëmijë Berati me 721 dhe Vlora 642 fëmijë.

Projekti dyvjecar i organizatës “Save the Children” me një fond prej afro 900 mijë usd, i financuar nga një fondacion amerikan, do të zbatohet në partneritet me shoqatën “Ndihmoni Jetën” dhe bashkitë e Durrësit dhe Vlorës, ku mungojnë krejtësisht shërbimet sociale komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ka nisur ngritja e dy qendrave me bazë komunitare, që do të ofrojnë shërbime cilësore për këta fëmijë.

“Për fat të keq, ende këta fëmijë, qysh nga mosha 3 vjeçare quhen si të paaftë për punë, edhe pse janë në moshë të mitur. Por ata kanë mundësi të mëdha rehabilitimi dhe për të bërë një jetë të pavarur. Ne po përpiqemi të sjellim dy qendra model, të cilat duhen shumuar në të gjithë vendin” - tha drejtorja e “Save the Children” për Shqipërinë, Anila Meço.

Aktualisht shërbimet sociale ndaj këtyre fëmijëve janë të dobëta. Mbizotërojnë qendrat ditore dhe më pak rezidenciale, ku qendrat private janë të mbipopulluara, ndërsa ato shtetërore punojnë nën kapacitet.

Kjo lidhet me cilësinë e ulët të shërbimeve dhe profesionalizmin e stafeve, mungesën e pajisjeve materialeve dhe infrastrukturës të papërshtatshme.

Shërbimet private në nivel vendor mbeten kryesore për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa ato të pushtetit vendor nuk financohen mjaftueshëm.

Mungojnë të dhëna të sakta, mbi të cilat qeveria të hartojë politikat, programet dhe të parashikojë fondet publike për shërbimet ndaj këtyre fëmijëve.

“Save the Children” vlerësoi se mungon koordinimi në dhënien e shërbimeve shëndetësore, arsimore, mbrojtjes dhe mirëqenies sociale për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Kjo mungesë bashëpunimi ka krijuar barriera të reja për ta.

Projekti i organizatës për Durrësin dhe Vlorën, krahas shërbimeve individuale për fëmijët me aftësi të kufizuara, përfshin mundësi rehabilitimi dhe riintegrimi për ta në kopshte, shkolla dhe komunitet.

Aftësimi i familjeve të tyre si dhe pushtetit vendor është po ashtu një pjesë e rëndësishme e punës së Save the Children për të futur fëmijët me aftësi të kufizuara në sistemin shkollor dhe në komunitet, në mënyrë që të kenë edhe ata jetën e tyre të pavarur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG