Lidhje

Studimi mbi drejtësinë alternative për të miturit


Në Tiranë Organizata ndërkombëtare Save the Children u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të përdorin më shumë dënimet alternative për të miturit, sepse shkalla e përsëritjes së krimeve prej tyre është rritur, po ashtu u rrit 12% numri i fëmijëve të dënuar.

Shqipëri: Dënimet për të miturit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Studimi mbi drejtësinë restauruese, i mbështetur nga Bashkimi Europian, u shtri në 6 rajone të Shqipërisë prej Save the Children dhe Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Mosmarrëveshjeve.

Raporti i organizatës Save the Children mbi recidivizmin e të miturve në konflikt me ligjin në sistemin penitenciar theksoi se burgosja është një nga vendimet më të rënda për të miturit dhe nuk prodhon efekte pozitive.

Studimi i fundit zbuloi se sa më i hershëm të jetë zyrtarizimi i dënimit të fëmijëve me burgim aq më i lartë është rreziku i përsëritjes,

Shkalla e recidivizmit të të miturve në qendrat e paraburgimit është rritur nga 17.7% në vitin 2013 në 25.7% në vitin 2014.

Më tepër se gjysma e të miturve të intervistuar kishin kryer veprën e parë para moshës 14 vjeçare, ndërkohë që kontaktet me policinë i kishin pasur më herët se mosha 11-12 vjeçare.

Përfaqësuesit e Save the Children theksuan se zgjidhjet alternative në drejtësinë për të mitur mbrojnë të drejtat e fëmijëve, edukimin dhe zhvillimin e tyre si qytetarë.

Përdorimi i metodave bashkëkohore parandalon sjelljet deviante të të miturve, shmang përshkallëzimin e dhunës ndaj tyre.

Studimi nxori në pah përdorimin e kufizuar të masave alternative dhe faktin se ligji për ndërmjetësimin nuk është i harmonizuar me kodin e procedurës penale.

Ndaj gjatë reformës në drejtësi dhe ndërtimit të një drejtësie miqësore për fëmijët studiuesit kërkuan përmirësimin e ligjit për ndërmjetësimin.

Sipas të dhënave nga ministria e drejtësisë, përfshirja e fëmijëve në konflikt me ligjin është në rritje; 680 të mitur u dënuan në vitin 2013 ndërsa në vitin 2014 u dënuan 773 të mitur, pra, një rritje prej 12% brenda një viti.

Studimi theksoi se burgimi i të miturve krijon paragjykime, diskriminime dhe i përjashton ata nga shoqëria, por zgjidhjet alternative me ndërmjetësim mbrojnë të drejtat e fëmijëve.

Sipas të dhënave të studimit, fëmijët të cilët kanë kaluar përmes këtyre zgjidhjeve integrohen më lehtë në shoqëri dhe janë më pak të prirur për të përdorur dhunën në komunitet dhe në familje.

XS
SM
MD
LG