Lidhje

Skocezët i thonë jo pavarësisë


Rezultatet tregojnë se 55 për qind e votave ishin në favor të ruajtjes së bashkimit me Britaninë në krahasim me 45 për qind që votuan kundër

Në një referendum historik për pavarësinë, skocezët votuan në favor të ruajtjes së bashkimit 307-vjeçar me Britaninë. Ky rezultat u prit me një ndjenjë lehtësimi në pjesën më të madhe të Britanisë së Madhe dhe në vende të tjera. Presidenti Barack Obama uroi Skocinë sot për “këtë ushtrim të plotë dhe energjik të demokracisë”. Ai tha se “përmes debatit, diskutimit dhe këmbimeve me pasion por paqësore, ata i kujtuan botës kontributet e jashtëzakonshme të Skocisë për Mbretërinë Britanike dhe botën”. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri spanjoll Mariano Rajoy shprehën mendime të ngjashme. Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso e quajti rezultatin pozitiv për Evropën dhe vlerësoi përkushtimin e thellë të Skocisë ndaj Bashkimit Evropian.

Në referendum ishin regjistruar pothuajse të gjithë banorët me të drejtë vote të Skocisë, rreth 4.2 milion, dhe pjesëmarrja ishte 86 për qind.

Udhëheqësi nacionalist skocez, Alex Salmond, u bëri thirrje mbështetësve të pavarësisë që të pranojnë rezultatin, duke lënë të kuptohet se lëvizja për pavarësi nuk ka marrë fund.

"Këtë herë Skocia vendosi me shumicë votash të mos bëhet vend i pavarur. E pranoj verdiktin e popullit dhe i bëj thirrje gjithë Skocisë të pranojë vendimin demokratik të popullit."

Zoti Salmond gjithashtu i bëri thirrje Londrës të respektojë premtimin për t'u dhënë më shumë kompetenca ligjvënësve skocezë.

Në Glasgow, qyteti më i madh i Skocisë, 61 për qind votuan për pavarësinë. Megjithatë, në kryeqytetin skocez, Edinburg dhe në qytetin e tretë më të madh, Aberdeen, pavarësia u hodh poshtë me një diferencë të madhe votash.

"Populli i Skocisë foli. Ne zgjodhëm bashkimin në vend të ndarjes, ndryshimin pozitiv në vend të ndarjes së panevojshme." tha Alistair Darling, kreu i fushatës "Jo".

Kryeministri britanik David Cameron i përgëzoi të dyja fushatat në këtë votim të mbushur me emocione:

"Skocia votoi për një parlament të fortë skocez të mbështetur nga fuqia dhe siguria e Mbretërisë së Bashkuar dhe për këtë dua të përgëzoj Fushatën "jo", sepse u tregoi njerëzve se kombet tona janë më mirë së bashku. Dua gjithashtu të shpreh nderim për kampin "po" sepse bëri një fushatë të mirë. Dua t'u them të gjithë atyre që votuan për pavarësi, se e dëgjojmë zërin tuaj."

Zoti Cameron tha se tani që çështja është zgjidhur, Britania do të respektojë angazhimet e saj për t'i dhënë Skocisë kompetenca të reja, edhe në çështje të tilla si taksat, shpenzimet dhe programet sociale.

Zoti Cameron tha se këto të drejta do t'i jepen edhe Anglisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.

XS
SM
MD
LG