Lidhje

A do të votojnë skocezët për pavarësinë?

  • Henry Ridgwell

Javën e ardhshme, skocezët do të votojnë nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar së bashku me Anglinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut, apo do të shkëputen dhe të bëhen të pavarur. Disa sondazhe të fundit tregojnë se fushata që kundërshton pavarësinë nuk e ka më avantazhin e mëparshëm dhe dy palët janë tani shumë pranë.

Në Royal Mile të Edinburgut, turistët tërhiqen mjaft nga simbolet e identitetit skocez.

Ka një tension të dukshëm në këtë qytet të lashtë. Skocia mund të votojë për t'u shkëputur pas 300 vjetësh si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

David Torrance është analist politik dhe shkrimtar skocez.

"Në Skoci gjithmonë ka patur një pakicë të konsiderueshme, e cila thjesht instinktivisht do që Skocia të jetë shtet i pavarur. Ajo që shihni tani është një shtresë e dytë njerëzish, të cilët janë bindur gjatë dy viteve të fundit se pavarësia do t'i bëjë të jetojnë më mirë."

Analistët thonë se ekziston shqetësimi në rritje se humbja e Skocisë do t'i sjellë një dëm të madh pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

Porti skocez i Aberdeenit është plot me anije që furnizojnë platformat e naftës në Detin e Veriut. Rreth 90 përqind e rezervave britanike të naftës gjendet nën ujërat e Skocisë.

Industria e naftës në Aberdeen është në lulëzim. Kjo është zona më e pasur e Britanisë, duke përjashtuar Londrën dhe Anglinë juglindore.

Qeveria skoceze thotë se rezervat e naftës këtu arrijnë në 24 miliard fuçi, ndërsa sipas qeverisë britanike shifra është rreth 15 miliardë.

Alex Kemp është profesor i ekonomisë së naftës në Universitetin e Aberdeenit.

"Në qoftë se industria e rrit efikasitetin e prodhimit, rënia mund të kompensohet për pesë apo gjashtë vjet dhe pastaj të ketë rritje. Qeveria britanike nuk është e bindur për këtë."

Skocia ka tani parlamentin e saj. Por kompetencat e saj për të rritur taksat janë të kufizuara dhe Londra ende vendos për politikën ekonomike. Nëse e lënë të lirë, Skocia do të përparojë, thotë Kenny Anderson i grupit pro-pavarësisë "Biznesi për Skocinë."

"Nuk jam i sigurt se Mbretëria e Bashkuar i ka gjithmonë interesat tona në krye të axhendës. Jo se nuk dëshiron, por thjesht sepse përballet me trysni të tjera. Ndërsa në qoftë se jemi të pavarur, ne mund të kujdesemi për interesat tona të veçanta - uiski, nafta, gazi, peshkimi, apo arsimi".

Megjithëse fokusi ka qenë te ekonomia, rivaliteti historik i Skocisë me Anglinë është i vjetër.

Familja Drew McKenzie Smith ka në pronësi kompleksin Lindores Abbey në brigjet e lumit Tay.

Në kodrat aty pranë, luftëtari skocez për pavarësinë, William Wallace i udhëhoqi njerëzit drejt fitores kundër forcave angleze në betejën e Blackearnside-it. Lufta e tij për pavarësi përshkruhet plot ngjyra në filmin Braveheart.

Por McKenzie Smith thotë se historia mbetet histori.

"Unë jam admirues i luftëtarit Wallace. Por atëhere ishte viti 1298. Mendoj se filmi Braveheart e ka pasqyruar më së miri atë kohë. Fushata për shkëputjen jep shumë argumente dhe propozon plot gjëra të bukura, por në realitetin e sot asnjë nga ato gjëra nuk funksionojnë."

Peizazhi i Skocisë është plot me rrënoja të lashta të historisë së saj. Por ndryshe nga shekujt e kaluar, këtë herë skocezët do të vendosin vetë për fatin e tyre.

XS
SM
MD
LG