Lidhje

Në Scranton, mbështetje dhe krenari për Hillary Clinton

  • Aru Pande

Më 15 gusht Hillary Clinton do të zhvillojë fushatë në qytetin Scranton të Pensilvanisë, përkrah Nënpresidentit Joe Biden, që ka lindur në Scranton. Edhe zonja Clinton ka rrënjë në këtë qytet. Babai i saj ishte nga Scranton dhe ajo kalonte atje verat gjatë fëmijërisë. Në këtë qytet me traditë të fortë demokrate, zonja Clinton shpreson të gjejë mbështetje në zgjedhjet presidenciale të nëntorit:

Paul Cooper, pronar restoranti, kujton një ditë në vitin 1993 kur u takua me Hillary Clinton dhe bashkëshortin Bill Clinton, i sapo-zgjedhur për president:

“Nuk kishte si bëhej njeri më i mirë. Nga përvoja ime, të dy ata janë njerëz të mirë. M’u dukën shumë të thjeshtë, shumë të afruar”.

Çifti Clinton organizoi një pritje në restorantin e Paul Cooperit 23 vjet më parë, pas varrimit të babait të zonjës Clinton, Hugh Rodham, i cili kishte lindur në Scranton.

Qyteti ka një traditë të fortë pro-partisë demokrate, por përbërja demografike e qytetit, kryesisht klasë punëtore e racës së bardhë, është baza më e fortë e Donald Trumpit në këto zgjedhje. Kandidati republikan është përpjekur të fuqizojë mbështetjen në zonë, por politologu Christopher Borick thotë se nuk do ta ketë të lehtë:

“Mendoj se kjo zonë mbetet bazë e fortë e demokratëve, sidomos kur kujton se Hillary ka rrënjë familjare atje. Donald Trumpi do ta ketë të vështirë të sigurojë përkrahjen që do në zonë”.

Hillary Clinton ka rrënjë të thella familjare në zonë. Gjyshi i saj punonte dikur në një fabrikë tekstilesh në qytet. Fabrika u mbyll në 2002 pas 100 vjetësh në operim.

Rajoni ka përjetuar papunësi në rritje nga mbyllja e njëpasnjëshme e shumë fabrikave. Marty Coar, banor i zonës kujton kohën kur Scranton kishte një aktivitet të fuqishëm industrial:

“Në një rreze prej 15 km mund t’ju tregon 10 fabrika që janë mbyllur. Dikur punoja shumë me industrinë e tekstileve, pasi isha shofer kamioni”.

Tani djali i tij, Marty Coar Junior, menaxhon biznesin e familjes në qytetin Dunmore.

Piceria Two Brothers tërhoqi vëmendje kohët e fundit pasi futi në menu një pica me emrin “Zonja Presidente” me salcë djegëse, për nder të vizitës së zonjës Clinton atje në prill.

Vajza e tij mori ftesë të takohej me kandidaten demokrate:

“Sa vajza 12-vjeçare nga Dunmore, takohen me një figurë të tillë, sepse babai bëri një pica që mori emër? Zonja Clinton është një grua brilante, shumë e zgjuar. Për një vajzë të vogël ajo shërben si shembull se çfarë mund të arrish në jetë”.

Marty nuk do të flasë për politikë, por ka një këshillë për politikanët:

“Përpiquni për klasën punëtore. Ne jemi ata që e bëjmë Amerikën të madhe. Jo Trumpi, Jo Hillary; njerëzit e bëjnë”.

Në Scranton dhe Dunmore, banorët shpresojnë se kandidatët do ta ndjekin këshillën e Martyt, tani që fushata po futet në etapat më intensive.

XS
SM
MD
LG