Lidhje

Seancat në kongres, shqetësim për komunitetin mysliman në SHBA


Seancat në kongres, shqetësim për komunitetin mysliman në SHBA
Seancat në kongres, shqetësim për komunitetin mysliman në SHBA

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, Peter King do të hapë më 10 mars seanca me pyetje përgjigje për atë që e ka cilësuar si “radikalizimi” i amerikanëve myslimanë. Ligjvënësi King thotë se ka një detyrim për të hetuar ato që i shikon si kërcënime terroriste nga disa elementë në komunitetin mysliman të Shteteve të Bashkuara. Por kritikët thonë se seancat do të hedhin një dritë negative mbi miliona amerikanët e moderuar që përbëjnë atë komunitet.

Pjesëtarë të elektoratit të ligjvënësit King u mblodhën para zyrës së tij në Long Island të Nju Jorkut për të kundërshtuar seancat:

Por edhe për të shprehur mbështetje:

Ndër përkrahësit është banori Richard Lazevnick:

“Kemi lejuar të futen çdo lloj njerëzish, pavarësisht nga bindjet e tyre. Nëse nuk beson në traditën amerikane, në qeverinë dhe sistemin tonë ligjor, atëherë nuk ke vend në Amerikë”.

Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 7 milionë myslimanë, ndër të cilët përfshihen njerëz nga të gjitha sferat e jetës, një prej tyre është anëtari i parë mysliman në Kongres, ligjvënësi Keith Ellison. Ai do të jetë një ndër ata që do të japin dëshmi gjatë seancave.

Zyra e ligjvënësit King nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente, por faqja e tij në internet përfshin një artikull të CNN-it ku pasqyrohen pikëpamjet e tij për përhapjen e radikalizmit mysliman në Amerikë:

“Në vitin 2004, thashë se 80 për qind e xhamive në Amerikë kontrolloheshin nga ekstremistët. Kjo bazohej në dëshminë që dha në vitin 2000 Sheik Kabani, i cili mori pjesë në një seancë dëshmish të Departamentit të Shtetit. Për sot nuk kam shifra. Mund të jetë më shumë se 80 për qind, mund të jetë më pak”.

Lutjet në xhaminë Masxhid al-Abidin në Bruklin të Nju Jorkut buçasin përmes altoparlantit në mënyrë që të dëgjojnë të gjithë. Ndër ata që po marrin pjesë në lutje është Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Udhëheqjes Islamike të Nju Jorkut, Zahir Udin, i cili shprehet se shifra prej 80 për qind është një mit:

“Mund të ketë disa xhami. Por nuk kemi dijeni për xhami të tilla, edhe nëse ekzistojnë. Nëse Peter King ka dijeni, duhet t’i identifikojë këto xhami specifike”.

Zoti Udin thotë se vetëm 5 për qind e akteve të brendshme terroriste kryhen nga myslimanët dhe shton se organizata e tij i dënon këto akte. Një studim i ri i Universitetit Duke tregon se autoritetet amerikane zbuluan 48 nga 120 komplotet myslimane terroriste që nga viti 2001, falë informatave nga komuniteti mysliman.

Të dielën, hebrej dhe myslimanë u mblodhën në Sheshin Times Square në Nju Jork për të protestuar kundër seancave. Imam Faisal Abdul Rauf, i cili po punon për ndërtimin e një Qendre Islamike në Manhatan, kundërshton vëmendjen ekskluzive që ligjvënësi King i ka kushtuar në këtë çështje fesë islame:

“Ekstremizmi shfaqet në të gjitha besimet. Ka ekstremistë e radikalë amerikanë, ashtu siç ka ekstremistë e radikalë myslimanë. Duhet t’i japim fund ciklit të radikalizimit”.

Një raport i FBI-së konfirmon se kërcënimet terroriste nga elementë të brendshëm në Shtetet e Bashkuara variojnë nga neo-nazistët e bardhë dhe eko-terroristët e deri tek anarkistët dhe separatistët. Por zoti King nuk pranon të ndryshojë temën e seancave. Ai thotë se këto seanca synojnë të tregojnë se komuniteti mysliman përgjithësisht përbëhet nga amerikanë të mirë, por udhëheqja e tij nuk po bën atë që duhet.

XS
SM
MD
LG