Lidhje

Shans i Dytë për njerëzit dhe materialet

  • Julie Taboh

Një organizatë jofitimprurëse në Baltimorë, të shtetit të Marylandit, mbledh dhe rishet materiale nga ndërtesat që planifikohen të shkatërrohen. Për të kryer punën, kompania punëson dhe trajnon anëtarë në vështirësi të komunitetit, duke i dhënë një shans të dytë si njerëzve, ashtu dhe materialeve.

Clarence White ka një shans për një jetë të re. Ai është punësuar dhe trajnuar për të nxjerrë të gjitha materialet që mund të përdoren sërish nga kjo shtëpi prej druri, pranë Uashingtonit, para se ajo të rrënohet.

"Jam i zoti në çmontimin e dritareve, shpërbërjen e dyshemesë, mureve; mund të bëj gjithçka."

Para kësaj përvoje, ky baba 29-vjeçar nuk kishte pasur kurrë një punë të vërtetë më parë. Ai kishte qenë në burg dhe nuk kishte shpresa të mëdha për të ardhmen e tij.

"Jeta ime ishte në një rrugë pa krye. Po shoqërohesha me njerëzit e gabuar, duke u futur në telashe."

Por Clarence White thotë se ka gjetur shpëtim tek organizata jo-fitimprurëse Shansi i Dytë, e cila i jep njerëzve si ai një mundësi për të rindërtuar jetën.

"Tani kam një llogari bankare, kam një banesë timen dhe mendoj të marr një automjet. Po bëhem i aftë për t’u kujdesur për vajzën time."

Manaxheri i projektit Jim Russell thotë se njerëz si Clarence thjesht kanë nevojë për pak ndihmë.

"Ata vijnë tek organizata jonë që të kenë një mundësi dhe kur e bëjnë këtë, ne u japim aftësi pune, u mësojmë një zanat, që të jenë në gjendje ta ushtrojnë dhe të ecin përpara në jetë."

Këtu, punëtorët po mësojnë se si të heqin në mënyrë të sigurtë dhe të shpejtë pjesët prej druri dhe prej guri, dhe se si të çmontojnë kuzhinën dhe banjën.

"I japim një jetë të re dhe materialeve të vjetra që në shumë raste hidhen dhe nuk do të përdoreshin sërish."

Materiali i grumbulluar më pas shkon në magazinën e orgnizatës Shansi i Dytë në Baltimore, të Marylandit.

Këtu, parketet prej druri dhe dyert e shtëpisë, si dhe pajisje higjeno-sanitare së bashku me kuzhinën, llambadarët, antikat dhe sende të tjera vogla do t’u shiten me çmime të ulëta njerëzve që kërkojnë të rinovojnë ndonjë dhomë apo që duan të ndërtojnë një shtëpi të re. Shitjet ndihmojë në financimin e programit për trajnimin për punë.

"Djemtë tanë mendoj se janë dakord që ky mund të jetë shansi i tyre më i mirë për një jetë të re."

Mark Foster, është themeluesi dhe presidenti i organizatës, e cila ka trajnuar dhjetëra burra, që prej fillimit të saj në vitin 2003.

"Programi ynë i trajnimit nuk ka të bëjë vetëm me aftësinë për të ngulur gozhdë. Aty mësohet se si të jesh një anëtar produktiv i shoqërisë, se si të përvetësosh aftësi që ju nuk kishe më parë. Materialet janë sigurisht të rëndësishme për kompaninë tonë, por njerëzit përbëjnë me të vërtetë elementin që udhëheq aktivitetin e saj."

Ashtu si shtëpia e vjetër prej druri do të rrënohet për t’i lënë vend një shtëpie të re, ashtu dhe Clarence White dëshiron të ndërtojë mbi themelet e jetës së tij të re.

"Gjithçka duket në rrugë të mbarë. Parashikoj një të ardhme të mirë për vete."

XS
SM
MD
LG