Lidhje

Jep dorëheqjen e Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA


Drejtoresha e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, Julia Pierson, dha dorëheqjen pas dy gabimeve të rënda, që mund të kishin vënë në rrezik Presidentin Obama.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se zonja Pierson u takua të mërkurën me Presidentin Barack Obama, i cili vlerësoi punën e saj 30-vjeçarare në shërbim të vendit. Zëdhënësi Earnest tha se zonja Pierson mori përgjegjësinë për gabimet shërbimit sekret dhe për rregullimin e tyre.

Pierson dhëshmoi këtë javë para Kongresit, për dy problemet me sigurinë muajin e kaluar.

Sipas njoftimeve, një roje e armatosur, i punësuar nga një kompani private sigurie u fut në ashensor me Presidentin Obama gjatë vizitës së tij në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta muajin e kaluar. Roja, i cili ishte me preçedent kriminal, filloi t’i bënte fotografi presidentit me celularin personal, duke mos përfillur paralajmërimet e Shërbimit Sekret.

Shërbimi Sekret nuk e dinte që personi ishte i armatosur, deri pas pushimit të tij nga puna. Më pas u mësua se ai ishte shpallur më parë fajtor edhe për sulm fizik.

Veç këtij rasti, shefja e Shërbimit Sekret Julia Pierson dëshmoi para Kongresit edhe për incidentin e ditëve të fundit, kur një person kapërceu gardhin rrethues të Shtëpisë së Bardhë dhe u përpoq të futej në mjediset e brendshme të rezidencës presidenciale. Personi ishte një veteran i luftës në Irak, i quajtur Omar Gonzalez, i cili ishte i armatosur me thikë dhe kapërceu gardhin dhe u arrestuar kur ishte futur në ambjentet e brendshme të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti dhe familja e tij nuk ndodheshin aty.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG