Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, bisedime urgjente për Sirinë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi të dielën bisedime urgjente në lidhje me dhunën shkatërrimtare në qytetin Aleppo, ndërkohë që avionët sirianë dhe rusë bombardonin pjesën lindore të qytetit sirian, të kontrolluar prej rebelëve.

Sesioni i emergjencës u thirr nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania, për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të vendosë nën kontroll aleaten e saj Sirinë dhe për t’i dhënë fund sulmeve ndaj qytetit ku gjenden të bllokuar 275 mijë persona. Sulmet me raketa, bomba fuçi dhe artileri, kanë sheshuar ndërtesat dhe i kanë lënë rrugët të bllokuara nga rrënojat dhe blloqet e betonit.

Ambasadorja e SHBA-së, Samantha Powers, tha se mbi 150 sulme ajrore kanë goditur qytetin gjatë tre ditëve të fundit, duke akuzuar kështu Rusinë dhe Sirinë se po ndërmarrin një ofensivë të përgjithshme ndaj qytetit Aleppo.

Ambasadori francez, Francois Delattre, u tha gazetarëve se në Aleppo po kryhen krime lufte, që nuk duhen lënë pa u ndëshkuar.

Ambasadori britanik, Matthew Rycroft, tha se kjo po ndodh pikërisht atëherë kur mendohej se gjërat nuk mund të bëheshin më keq se ç’ishin.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, tha se ka të dhëna për përdorim bombash me intensitet aq të lartë, saqë e shndërrojnë errësirën e plotë të Alepposë të duket si një ditë e plotë. Zoti De Mistura tha se nëse konfirmohen këto të dhëna, atëherë përdorimi sistematik i armëve të tilla aty ku ndodhen civilët dhe infrastruktura civile, mund të përbëjnë krime lufte.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG