Lidhje

Sek. Kerry në Londër për bisedime me Lavrovin

  • Scott Stearns

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry shkon sot në Londër për bisedime me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov për krizën në Ukrainë. Zoti Kerry po shkon në Londër që ta bëjë të qartë se pse mendon se udhëheqësit rusë duhet të zgjedhin rrugën e zgjidhjes politike për krizën në Ukrainë.

“Ne do t’i ofrojmë disa alternativa Ministrit të Jashtëm Lavrov dhe përmes tij Presidentit Putin, duke shpresuar dhe mendoj se kjo është edhe shpresa e botës, se do të jemi në gjendje të gjejmë një zgjidhje që e shtendos gjendjen dhe që respekton integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Ukrainës”.

Megjithëse disa ligjvënës amerikanë kanë bërë thirrje për përgjigje më të ashpër ndaj Rusisë, zoti Kerry thotë se është në të mirë të sigurisë kombëtare që t’i ofrohet Moskës një shans për rrugëdalje nga kriza.

“Ne besojmë se izolimi i Rusisë nuk është në favor të askujt, nuk u shërben as përpjekjeve tona në Iran, as përpjekjeve tona në Siri dhe as përpjekjeve për armët bërthamore, Afganistanin ose vende të tjera. Por ne do të bëjmë atë që duhet nëse Rusia nuk gjen mënyrën për të marrë vendimin e duhur”.

Bisedimet mbahen vetëm pak ditë para se Krimea të votojë për t’u shkëputur ose jo nga Ukraina, pas rrëzimit të qeverisë pro-ruse në Kiev. Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë thonë se referendumi i së dielës është jokushtetues. Zyrtarët rusë thonë se Krimea ka të drejtën e vetëvendosjes. Ja ç’thotë kryetarja e Këshillit të Federatës ruse, Valentina Matviyenko.

“Disa vende perëndimore janë përfshirë nga histeria se referendumi është i paligjshëm, se rezultatet e tij nuk do të pranohen nga komuniteti ndërkombëtar. Më e pakta që mund të thuhet është se këto janë të pavërteta dhe keqinformime”.

Referendumi mund të sillte si rezultat bashkimin e Krimesë me Federatën ruse. Ndërsa milicitë ruse dhe të Krimesë konsolidojnë pozicionet në gadishullin e Detit të Zi, disa ish-republika sovjetike shohin rrezikun e një ekspansioni të ri rus.
Marina Kaljurand është ambasadorja estoneze në Shtetet e Bashkuara.

“Ka vende që mund të shtrojnë pyetjen kush e ka radhën më pas. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë një përgjigje të menjëherëshme”.

Në një atmosferë të tillë të tensionuar, referendumi i së dielës mund të mos ketë ndonjë ndikim të madh, thotë profesori i Universitetit Amerikan, Keith Darden.

“Mendoj se të gjithë jemi të një mendjeje se është një kohë e vështirë në Krime. Por ky referendum nuk është rrugëzgjidhje dhe nuk besoj se ndonjë nga palët do ta pranojë atë si një zgjidhje të qartë. Ne madje mund të arrijmë ta bindim Rusinë që të zmbrapset në këtë drejtim”.

Referendumi mund të hapë një shteg për të folur me Presidentin Putin që Uashingtoni duhet ta ndjekë, thotë profesori Darden.

“Nëse Putini e ka këtë kartë, pra një referendum të paligjshëm ku shprehet interesi për t’u bashkuar me Federatën Ruse, kjo mund t’i japë atij mundësinë që të negociojë distancimin prej tij, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin e tij. Kështu ndoshta do të shfaqej si një udhëheqës më i zoti”.

Presidenti Putin nuk e ka njohur qeverinë e re në Kiev dhe thotë se veprimet e tij synojnë mbrojtjen e banorëve të etnisë ruse në Krime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG