Lidhje

Sekretari Gejts: Ndryshimet në Lindjen e Mesme, ecje mbrapa për Iranin e al-Kaidën

  • Al Pesin

Sekretari Gejts: Ndryshimet në Lindjen e Mesme, ecje mbrapa për Iranin e al-Kaidën

Sekretari Gejts: Ndryshimet në Lindjen e Mesme, ecje mbrapa për Iranin e al-Kaidën

Sekretari Gejts thotë se revolucionet në Tunizi dhe Egjipt, dhe trazirat e vazhdueshme në Libi, Bahrein, Jemen dhe vende të tjera dëshmojnë se protestuesit paqësorë, forcat e sigurisë të vetëpërmbajtura dhe qeveritë e përgjegjshme mund të sjellin ndryshime dhe se ndryshimet nuk nënkuptojnë militantizëm. Ai i quajti ndryshimet në Lindjen e Mesme “pengesë të jashtëzakonshme” për al-Kaidën.

“Ato në thelb përgënjeshtrojnë qëndrimin e al-Kaidës se e vetmja mënyrë për të hequr qafe qeveritë autoritare është me anë të dhunës ekstremiste. Popujt e disa vendeve të rajonit po dëshmojnë të kundërtën.”

Zoti Gejts tha se edhe Irani del humbës nga trazirat, veçanërisht për shkak se forcat e sigurisë atje vazhdimisht kanë përdorur dhunë për të shtypur protestat popullore.

“Qëndrimi i ushtarakëve në Tunizi dhe në Egjipt, dhe me përjashtim të një periudhe të shkurtër të dhunës në Bahrein është në kontrast me shtypjen e egër që iranianët kanë ndërmarrë ndaj kujtdo që guxon të demonstrojë në vendin e tyre.”

Sekretari Gejts pranoi se do të duhen muaj, ndoshta vite, për të ditur rezultatet e trazirave aktuale. Por ai vlerësoi fillimin e asaj që e quajti “proces të ndryshimit”, pas viteve me politikë “të ngrirë” në shumë vende të Lindjes së Mesme. Zoti Gejts tha se ndryshimet qoftë edhe në vendet që janë aleate të ngushta të Shteteve të Bashkuara, posaçërisht në Jordani dhe Arabi Saudite, nuk do të rrezikonin interesat amerikane. Ai tha se këto vende kanë zbatuar disa reforma gjatë viteve, dhe se procesi duhet të vazhdojë. Ai i quajti marrëdhëniet e tyre dypalëshe me Shtetet e Bashkuara “të thella”, “të forta dhe të qëndrueshme”.

I pyetur rreth Libisë, sekretari i mbrojtjes u shpreh se nuk ka gjasa për veprime të drejtpërdrejta ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse ai ka urdhëruar dislokimin e të paktën dy anijeve të marinës amerikane në Detin Mesdhe.

Zoti Gejts tha se anijet i japin Presidentit Barak Obama alternativa por që “me sa duket” fillimisht do të duhet një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për përdorimin e forcës, madje edhe për të vendosur një zonë ndalim fluturimi mbi Libi siç kanë sugjeruar disa anëtarë të Kongresit amerikan. Më parë, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se udhëheqësit e opozitës libiane nuk duan ndërhyrje të tilla.

Sekretari Gejts tha se çfarëdo veprimi tjetër përveç sigurimit të ndihmave humanitare do të ishte tejet i ndërlikuar, do të mund të kishte pasoja të mëdha dhe do të duhej shqyrtuar me kujdes.

“Ne gjithashtu, të them të drejtën, duhet të mendojmë për përdorimin e ushtrisë amerikane në ndonjë vend tjetër të Lindjes së Mesme. Kështu që jemi të kujdesshëm mbi këto çështje, por ne do t’i ofrojmë presidentit alternativa të ndryshme.”

Zoti Gejts nuk dha hollësi dhe tha se asnjë vendim nuk është marrë për veprime specifike ushtarake.

XS
SM
MD
LG