Lidhje

Sekretari amerikan i Mbrojtjes vazhdon turneun në Azi me një vizitë në Japoni


Sekretari amerikan i Mbrojtjes vazhdon turneun në Azi me një vizitë në Japoni
Sekretari amerikan i Mbrojtjes vazhdon turneun në Azi me një vizitë në Japoni

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts po e përqëndron vemendjen gjatë turneut në 3 vende të Azisë te kërcënimi nga tensionet në Gadishullin Korean dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut.

Sekretari Gejts mbërriti sot në Tokio për bisedime me kryeministrin japonez Naoto Kan, si dhe me ministrin e mbrojtjes dhe atë të jashtëm të Japonisë. Të premten ai shkon në Seul, ku i jep fund turneut në Azi. Para se u largua nga Kina, Sekretari Mbrojtjes tha se si udhëheqësit civilë edhe ata ushtarakë janë gati t’i vazhdojnë edhe më tej marrëdhëniet amerikano-kineze.

Gjatë ditës së sotme, Sekretari Gejts bëri një turne në qendrën e komandës bërthamore të vendit si dhe vizitoi Murin e Madh në veri të Pekinit, para se të nisej për në Japoni.

Zoti Gejts tha se mbeti i kënaqur nga bisedat e sinqerta me komandantët në selinë bërthamore, përfshirë edhe një diskutim rreth strategjisë bërthamore të Kinës.

“Diskutuam rreth strategjisë bërthamore dhe qëndrimin e Kinës në rast konflikti. Folëm rreth politikës kineze për të mos përdorur e para forcën, rreth komandës e kontrollit dhe rreth një sërë çëshjesh të tjera. Mendoj se patëm një diskutim të hapur, që e përqëndruam në një game të gjerë çështjesh”.

Ai tha se komandanti i kësaj qendre në periferi të Pekinit pranoi ftesën për të vizituar selinë e komandës strategjike të Shteteve të Bashkuara në shtetin e Nebraskës.

Sekretari i Mbrojtjes Gejts tha se ishte i kënaqur me rezultatet e vizitës, e cila kishte për qëllim rivendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes ushtrive të të dy vendeve me objektivin për të shmangur keqkuptimin.

“Mendoj se diskutimet ishin shumë produktive dhe krijuan kushtet për t’i vazhduar e përmirësuar marrëdhëniet mes dy ushtrive".

E papritura më e madhe e vizitës ishte vendimi i Kinës për të kryer fluturimin e parë provë të avionit ushtarak në të njëjtën ditë që Sekretari Gejts u takua me presidentin Hu Jintao.

Gjatë bisedimeve të djeshme me presidentin Hu, zoti Gejts i kërkoi Kinës ndihmë që Koreja e Veriut të braktisë programet e saj bërthamore dhe të raketa ndërkontinentale.

XS
SM
MD
LG