Lidhje

Sekretari Hagel, dëshmi përpara një komisioni të Kongresit


Hagel

Hagel

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se shkëmbimi i një reshteri amerikan që mbahej nga talebanët me 5 të burgosur të Guantanamos u bë në mënyrë të ligjshme. Zoti Hagel dëshmoi përpara një komisioni të Kongresit lidhur me marrëveshjen që ka ngjallur debate të ashpra dhe ka shkaktuar zemërim mes shumë ligjvënësve, që thonë se ata nuk ishin informuar paraprakisht për shkëmbimin, siç e kërkon ligji.

Sekretari i Mbrojtjes Hagel u përball me pyetje të vështira nga ligjvënësit e Komisionit për Shërbimet e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve.

Zoti Hagel tha se vendimi për të transferuar për në Katar katër të burgosur të Guantanamos në shkëmbim të reshterit amerikan Bowe Bergdahl, që mbahej prej 5 vjetësh nga talebanët, ishte i vështirë për Presidentin Obama.

Zoti Hagel i përshkroi të katër të burgosurit e Guantanamos si persona që nuk ishin përfshirë në ndonjë sulm kundër Shteteve të Bashkuara.

Vendimi i administratës Obama për të mos informuar paraprakisht Kongresin rreth marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, ka ngjallur zemërim mes republikanëve dhe disa demokratëve në Kongres, të cilët e kanë kritikuar ashpër vendimin. Sipas ligjit, për lirimin e çdo të burgosuri nga baza e Guntanamos kërkohet të njoftohet Kongresi të paktën 30 ditë përpara.

Sipas dëshmisë së Sekretarit Hagel, zyrtarët e Katarit që u morën me negociatat për shkëmbimin e robërve, i kishin thënë Shteteve të Bashkuara se "koha nuk ishte në favor të tyre," dhe se marrëveshja mund të mos realizohej nëse dilte lajmi se do të kishte një shkëmbim.

Disa ligjvënës shtruan gjithashtu pyetjen nëse reshteri Bergdahl kishte dezertuar dhe nëse SHBA kishin bërë një lëshim tepër të madh për lirimin e tij. Zyrtarë të administratës i kanë thënë Kongresit se katër nga të pesë talebanët e liruar nga Ginatanamo ka të ngjarë të bashkohen me ekstremistët që luftojnë kundër SHBA.
XS
SM
MD
LG