Lidhje

Sekretari i përgjithshëm i Natos Rasmussen viziton Shkupin

  • Isak Ramadani

Sekretari i përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmussen ishte sot për vizitë në Shkup ku përsëriti qëndrimin e njohur të Aleancës Veriatlantike se Maqedonia duhet të gjejë një zgjidhje për emrin në mënyrë që t’i bashkohet familjes së kombeve të Natos.

Zoti Rasmussen dhe kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski biseduan për çështje të ndryshme, përfshirë reformat e duhura që kërkon Aleanca nga Maqedonia, si kusht për t’u bërë pjesë e saj.

Sekretari Rasmussen theksoi kontributin e Maqedonisë në misionet paqësore si ISAF dhe KFOR, ndërkohë që shtoi se Natoja është përkushtuar për të ardhmen e vendeve të Ballkanit perëndimor, si pjesë e natyrshme e familjes euro-atlantike, siç tha.

“Siguria juaj, qëndrueshmëria dhe e ardhmja juaj kanë rëndësi për ne”, tha sekretari i Natos për të shtuar se “integmrimi në Aleancë është një zgjedhje e lirë por se kërkon reforma të vazhdueshme, vendime të vështira dhe drejtues politikë të guximshëm.”

Ai tha se dyert e Natos janë të hapura, ndërkohë që theksoi se Maqedonia do të marrë ftesë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim pasi të gjindet një zgjidhje e pranueshmër për çështjen e emrit të vendit nga të dyja palët.

Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski tha se shpreson që ftesa të vijë në takimin e radhës të Aleancës së Natos.

"Ne, tha kryeministri maqedonas, do të bëjmë përpjekje maksimale për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes së problemit me emrin, që paraqet kusht për integrim në Nato, por shpresojmë, shtoi ai, që edhe pala tjetër të bëjë përpjekje".

Zoti Rasmussn po takohet edhe me drejtues të tjerë politikë gjatë vizitës njëditëshe në Shkup.
XS
SM
MD
LG