Lidhje

Sekretarja Klinton ashpërson kritikat kundër presidentit sirian Bashar Al-Asad

  • David Gollust

Sekretarja Klinton ashpërson kritikat kundër presidentit sirian Bashar Al-Asad

Sekretarja Klinton ashpërson kritikat kundër presidentit sirian Bashar Al-Asad

Sekretarja e Shtetit, Hillary Klinton ka ashpërsuar kritikat amerikane kundër presidentit sirian Bashar al-Assad, pasi një grup pro-qeveritar dje sulmoi ambasadat amerikane dhe franceze në Damask. Sekretarja Klinton tha se udhëheqësi sirian ka “humbur legjitimitetin”, dhe nuk duhet ta shohi veten si udhëheqës i domosdoshëm për të ardhmen e vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës David Gollust njofton nga Departamenti i Shtetit.

Komentet e sekretares Klinton pasqyrojnë tensionet në rritje në marrëdhëniet dypalëshe pas incidenteve kundër ambasadës, ku protestuesit sirianë pro-qeveritarisë u ngjiten në muret e ambasadës amerikane dhe në rezidencën e ambasadorit amerikan, duke shkaktuar dëme në të dyja objektet.

Një sulm i ngjashëm kundër ambasadës franceze, u ndalua vetëm pasi rojet franceze qëlluan në shenjë paralajmërimi.

Ky veprim shihet si hakmarrje e sirianëve ndaj vizitës së zhvilluar javën e kaluar nga ambasadori amerikan Robert Ford dhe homologu i tij francez Eric Chevallier në qytetin Hama, një nga qendrat e protestave për demokraci që njihet për rezistencën ndaj sundimit të familjes Al-Assad.

Në një konferencë shtypi me kryediplomaten e BE-së Kethrin Ashton, sekretarja Klinton ashpërsoi retorikën amerikane kundrejt udhëheqësit sirian, duke thënë ndër të tjera se ai e ka humbur legjitimitetin, ai ka pranuar ndihma nga Irani për shtypjen e popullit të tij, dhe ai nuk mund të jetë pjesë e të ardhmes politike të vendit.

“Nëse dikush, duke përfshirë presidentin Al-Assad, mendon se Shtetet e Bashkuara fshehurazi janë duke shpresuar se regjimi do t’i mbijetoi trazirave duke vazhduar brutalitetin dhe shtypjen, ata e kanë gabim. Presidenti Al-Assad nuk është udhëheqës i domosdoshëm, dhe ne nuk kemi investuar asgjë për ta mbajtur atë në pushtet”.


Komentet e sekretares Klinton erdhën pasi i ngarkuari sirian me punë në Uashington u thirrë në Departamentin e Shtetit për të dëgjuar një notë proteste zyrtare në lidhje me incidentet e ambasadës. Incidentet në ambasadë ndodhën pas një garancie personale që Ministri i Jashtëm sirian Walid Muallam i dha të djelën ambasadorit Ford për shtimin e masave të sigurisë.


Autoritetet siriane janë zemëruar nga vizita e ambasadorit Ford dhe kolegut të tij francez në Hama. Mediat siriane akuzuan diplomatin amerikan për zhvillimin e takimeve me të ashtuquajturit “sabotues” dhe nxitës të dhunës.

Sekretarja Klinton tha se ngjarjet janë një përpjekje e udhëheqjes siriane për të larguar vëmendjen nga shtypja brutale e protestave anti-qeveritare, në të cilat më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë që nga marsi.


“Regjimi i presidentit Al-Assad nuk do të ketë sukses në largimin e vëmendjes së botës nga ngjarjet e vërteta në Siri. Kjo nuk ka të bëjë me Amerikën, Francën apo ndonjë vend tjetër. Kjo ka të bëjë me aspiratat legjitime të popullit sirian për dinjitet, të drejtat universale dhe sundimin e ligjit.”

Analistja e Insitutit Amerikan të Paqes, Robin Wright thotë se ambasadori Ford ka një detyrë më të vështirë se çdo ambasador tjetër amerikan. Udhëtimi në Hama është një shembull i detyrave të vështira me të cilat ai do të përballet.

“Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të inkurajojnë ndryshimet, por është e qartë se nuk do të ndërmarrin veprime ushtarake ashtu siç po bëjnë në Libi. Por ambasadori Ford ka bërë dy gjëra të imagjinuara. Ai shkoi në Hama, duke sinjalizuar mbështetjen amerikane për të drejtën e fjalës së lirë, të drejtën për t’u mbledhur si dhe ka publikuar mesazhe mjaft serioze në Facebook – që në thelb sfidojnë veprimet e regjimit kundër ambasadës amerikane dhe kundër qytetarëve të vet në vendet si qyteti Hama.”

Zonja Wright tha se ndërkohë që zyrtarët sirianë incidentet ndaj ambasadës i kanë cilësuar si akte spontane të sirianëve, frymëzimi zyrtar për këto sulme është “krejtësisht transparent” dhe është “mahnitëse” që autoritetet siriane nuk mund ta kuptojnë se veprimet e tyre në sytë e botës duken si taktika të papërpunuara.

XS
SM
MD
LG