Lidhje

Sekretarja Klinton paraqiti përparësitë për buxhetin e politikës së jashtme

  • Zëri Amerikës

Sekretarja Klinton paraqiti përparësitë për buxhetin e politikës së jashtme

Sekretarja Klinton paraqiti përparësitë për buxhetin e politikës së jashtme

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton paraqiti sot përparësitë për buxhetin e politikës së jashtme para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë në kongresin amerikan. Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kursejnë në kurriz të diplomacisë për të mos rrezikuar rolin e tyre udhëheqës në skenën globale.

Sekretarja Klinton e hapi fjalën e saj duke ngritur si çështje kryesore gjendjen në Libi dhe takimet e saj të fundit me krerët botërorë të politikës së jashtme për t’i gjetur një zgjidhje konkrete konfliktit në vendin e Afrikës së Veriut. Zonja Klinton ritheksoi se udhëheqësi libian Moamar Gadafi duhet të largohet menjëherë.

“Ne po i mbajmë të gjitha opsionet të hapura për aq kohë sa qeveria libiane vazhdon të vrasë njerëzit e vet.”

Diplomacia maratonë e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me OKB-në dhe aleatët ka dhënë rezultate deri tani në sanksionimin e qeverisë libiane dhe përjashtimin e vendit nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha zonja Klinton. Dhe kjo është një pasqyrim i qartë i nevojës qenësore për ndihmën e diplomacisë amerikane.

Zonja Klinton tha se megjithëse e kupton shqetësimin e amerikanëve për borxhin kombëtar, diplomacia amerikane nuk duhet të dëmtohet, meqenëse roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara nuk mund të merret si e drejtë e mirëqenë, por e drejtë e fituar.

“Mendoj se amerikanët e kuptojnë nevojën për investime të përgjegjshme në sigurinë tonë për të ardhmen, që të ndjehemi më të sigurt dhe të mbajmë tregjet e hapura. Për t’u siguruar që ne të vazhdojmë të jemi vendi udhëheqës në botë.”

Ne kemi parë rezultatet e diplomacisë në Irak prej ku janë kthyer më shumë se 100 mijë trupa dhe civilët po ndihmojnë në ruajtjen e paqes. Ndërsa në Afganistan, shtimi i numrit të forcave ushtarake dhe civile kanë ndihmuar në vendosjen e një baze diplomatike që do të ndihmojë në pajtimin e afganëve. Ndaj Iranit kemi arritur të vendosim sanksionet më të ashpra deri tani, dhe të gjitha këto janë arritje të diplomacisë amerikane.

Zonja Klinton tha se kalimi i përgjegjësive nga ushtria tek civilët u ka kursyer taksapaguesve shumë para.

Megjithatë, sekretarja Klinton pranoi se në buxhetin e politikës së jashtme janë bërë disa shkurtime.

“Kemi shkurtuar ndihmën ekonomike për Evropën Qendrore dhe Lindore, Kaukazin dhe Azinë Qendrore me 15 për qind. Kemi përgjysmuar ndihmën në programet e zhvillimit në 20 vende.”

Sekretarja Klinton i bëri komente sot para komisionit të senatit për marrëdhëniet me jashtë në lidhje me përparësitë e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme në buxhetin e marrëdhënieve ndërkombëtare për vitin 2012.

XS
SM
MD
LG