Lidhje

Sekretarja Klinton dënon torturimin e sirianit 13-vjeçar


US Secretary of State Hillary Clinton speaking May 31, 2011
US Secretary of State Hillary Clinton speaking May 31, 2011

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, thotë se njoftimet për torturimin dhe vrasjen e një djali 13-vjeçar në Siri dëshmojnë “dështimin e plotë” të çfarëdo përpjekjeje të qeverisë së Presidentit Bashar Al-Asad për “të punuar [me popullin] dhe për ta dëgjuar” atë.

Zonja Klinton tha dje gjithashtu se pozita e zotit Asad po dobësohet çdo ditë dhe se njoftimet për vrasjen e djalit 13-vjeç tregojnë se Siria nuk po bën kurrfarë përpjekjeje për të ndërmarrë reforma të vërteta. Kryediplomatja amerikane u tha gazetarëve në Uashington se shpreson që fëmija të mos ketë humbur jetën kot dhe që zoti Asad t’i japë fund shtypjes mizore të demonstruesve anti-qeveritarë.

Vdekja e Hamza al-Hatibit është shfaqur si kushtrim për protestuesit në mbarë Sirinë prej se u bë e ditur para disa ditësh. Djali thuhet se është torturuar dhe vrarë nga shërbimet e sigurimit të Sirisë, pasi u zhduk muajin e kaluar gjatë një proteste në qytetin jugor Dará.

Familjes al-Hatibi iu dorëzua trupi i djalit të tyre para disa ditësh, pasi ata nënshkruan një dokument, duke premtuar se do ta varrosnin atë menjëherë. Në vend të kësaj, pamje që tregojnë dëmtimet, plagët e rënda dhe shenjat e plumbave në trupin e djalit u përhapën përmes internetit.

Rasti i tij ka nxitur protesta të reja dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare.

Televizioni shtetëror i Sirisë ka trasnmetuar një intervistë me kreun e shoqatës së mjekëve ligjorë të vendit, i cili mohoi akuzat se Hamza al-Hatib qe torturuar. Ai tha se plagët në trupin e djalit mund të jenë shkaktuar nga dekompozimi. Pohimet e mjekut kanë nxitur zemërimin e demostruesve dhe autorëve të blogjeve.

XS
SM
MD
LG