Lidhje

Sekretarja Klinton e shqetësuar nga masat e reja ligjore në Hungari

  • Stefan Bos

US Secretary of State Hillary Clinton delivers her speech, during the inauguration of the Tom Lantos Institute, at the Hungarian Parliament building, in Budapest, Hungary, June 30, 2011

US Secretary of State Hillary Clinton delivers her speech, during the inauguration of the Tom Lantos Institute, at the Hungarian Parliament building, in Budapest, Hungary, June 30, 2011

Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Rodham Klinton ka ngritur shqetësimet e saj para qeverisë së Hungarisë në lidhje me masat legjislative që kritikët thonë se kufizojnë lirinë e shtypit dhe pakësojnë kompetencat e institucioneve që më parë ishin të pavarura. Sekretarja Klinton gjithashtu shprehu solidaritetin me aktivistët pro-demokracisë në Egjipt, ku ajo thotë se Shtetet e Bashkuara do të rifillojnë bisedimet me grupin e debatueshëm Vëllazëria Myslimane. Sekretarja Klinton i bëri këto komente në Budapest, ku ajo mori pjesë në përurimin zyrtar të një qendre të drejtave të njeriut si pjesë e turneut të saj evropian.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka pranuar se ajo ka shprehur shqetësimet në lidhje me ligjin e ri të Hungarisë mbi mediat dhe kushtetutën në bisedimet me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Ajo e ngriti çështjen, pasi shkrimtarë, filozofë dhe kundërshtarë të tjerë të regjimit të vjetër komunist në Hungari thanë se qeveria e re e qendrës së djathtë ka kufizuar lirinë e shtypit, ka zvogëluar kompetencat e gjykatës së lartë dhe ka miratuar një kushtetutë që i lidh duart e qeverive të ardhshme.

Në një letër ata i kërkuan sekretares Klinton që ajo të flasi kundër, siç thanë ata, “sistemit autokratik” të vendit të tyre.
Sekretarja Klinton, e cila gjithashtu u takua me opozitën e bëri të qartë se ajo i kishte kërkuar qeverisë së kryeministrit Viktor Orban të mos heqë kontrollet dhe balancat në qeveri për të cilat ajo tha se janë elemente thelbësore për çdo demokraci.


“Si miq të Hungarisë ne kemi shprehur shqetësimet tona, dhe kemi bërë thirrje të veçantë për një angazhim të vërtetë ndaj pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së shtypit dhe transparencës qeveritare”.

Kryeministri Orban thotë se është i angazhuar për demokraci dhe se legjislacioni hungarez është në përputhje me ligjet e paraqitura në shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
Përveç kësaj, sekretarja Klinton e ka shfrytëzuar vizitën e saj në Budapest për të kontaktuar me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit. Ajo tha se administrata Obama është duke folur me grupin e debatueshëm për të ndihmuar ndërtimin e lidhjeve dhe nxitjen e parimeve demokratike, pavarësisht nga kritikat e Izraelit dhe të tjerëve që janë të shqetësuar rreth Vëllazërisë Myslimane.

"Ne besojmë se, duke pasur parasysh ndryshimet politike në Egjipt, është në interes të Shteteve të Bashkuara të angazhohemi me të gjitha palët që janë paqësore dhe të përkushtuara ndaj mospërdorimit të dhunës, si dhe që synojnë të konkurrojnë për parlamentin dhe presidencën. Për këtë arsye ne e mirëpresim dialogun me ata anëtarë të Vëllazërisë Myslimane që duan të bisedojnë me ne”.

Sekretarja Klinton ishte në Budapest për të marrë pjesë në inagurimin e Institutit Tom Lantos i cili i përkushtohet luftës për të drejtat e njeriut.
Instituti është emëruar pas kongresmenit të fundit amerikan të lindur në Hungari.

Gjatë një prej vizitave të shumta që bëri në Budapest, kongresmeni Lantos ka folur për Zërin e Amerikës në lidhje me zhgënjimin e tij mbi anti-semitizmin në vendin e tij të lindjes, i cili mbështeti Gjermaninë naziste gjatë luftës së dytë botërore në të cilën rreth 600 mijë hebrenjë hungarezë u vranë.

"Mua më vjen shumë keq që ende ka elemente në Hungari që duan t’ia vënë fajin tërësisht Gjermanisë për Holokaustin, gjë e cila nuk është e saktë. Një numër i madh i hungarezëve kanë marrë pjesë personalisht në aktet më të egra dhe vdekjeprurëse”.


Ish kongresmeni Lantosh kishte studiuar gjerësisht historinë hungareze.
Ministri i jashtëm hungarez Janosh Martonyi tha se ai shpreson se Instituti Tom Lantos do të ndihmojë për të lehtësuar tensionet në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku plagët e një historie të dhunshme akoma nuk janë shëruar plotësisht.

“Bashkëpunim i mëtejshëm rajonal, pajtimi historik dhe toleranca në Evropën Qendrore dhe Jug-Lindore janë gjëra për të cilat kemi nevojë të madhe në kontekstin tonë, ku traumat e vjetra dhe të reja historike kanë ndikim në jetën tonë të përditshme. Në qoftë se Instituti do të jetë në gjendje të kontribuojë për këtë qëllim të lartë të pajtimit të mëtejshëm në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ai do të jetë një trashëgimtar i vërtetë i veprimtarisë së Tom Lantoshit”.

Sekretarja Klinton vazhdoi udhëtimin e saj evropian në Lituani ku mori pjesë në një takim të Komunitetit të Demokracive në të cilin ajo diskutoi mënyrat për avancimin e grave në politikë dhe biznes. Ajo pastaj udhëtoi në Spanjë ku u takua me kryeministrin Hoze Luis Rodriguez Zapatero dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

XS
SM
MD
LG