Lidhje

Klinton: SHBA mbështesin "pa mëdyshje" planin ekonomik të Greqisë


Klinton: SHBA mbështesin "pa mëdyshje" planin ekonomik të Greqisë
Klinton: SHBA mbështesin "pa mëdyshje" planin ekonomik të Greqisë

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin "pa mëdyshje", planin ekonomik të Greqisë për të dalë nga kriza e borxhit.

Zonja Klinton tha sot në Athinë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm vendosmërinë e qeverisë greke për të bërë reformat e nevojshme që do ta vinin vendin mbi një bazë të shëndoshë financiare.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Stavros Lambrinidis, zonja Klinton pranoi se reformat janë një medikament i fortë, por tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë në to.

Nga ana e tij, zoti Lambrinidis tha se shumë njerëz në të dy anët e Atlantikut presin të shohin “kolapsin e Greqisë," por qeveria e tanishme do të provojë se ata e kanë gabim.

Greqia përgatitet për një takim urgjent të nivelit të lartë të enjten në Bruksel, ku udhëheqësit e 17 vendeve të Eurozonës do të përpiqen të arrijnë marrëveshje mbi një paketë të dytë shpëtimi për Greqinë.

Qeveria greke e kryeministrit Jorgos Papandreu, po zbaton masa shtrënguese që synojnë sigurimin e kredive të tjera evropiane dhe ndërkombëtare.

Bisedimet e zonjës Klinton me zyrtarët e lartë grekë u përqendruan edhe në çështje të tjera si, trazirat politike në Lindjen e Mesme, qendrueshmërinë në Ballkan, marrëdhëniet greko-turke dhe Qipron.

XS
SM
MD
LG