Lidhje

Sekretarja Klinton njofton ndihmën e re amerikane për Autoritetin Palestinez

  • Suzan Presto

Sekretarja Klinton njofton ndihmën e re amerikane për Autoritetin Palestinez

Sekretarja Klinton njofton ndihmën e re amerikane për Autoritetin Palestinez

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, njoftoi fonde të reja për Autoritetin Palestinez dhe zhvilloi dje bisedime me ministrin e Jashtëm të Egjiptit,Ahmed Aboul Gheit, një ditë para takimit me Kryeministrin e Izraelit, Beniamin Netaniahu në Nju Jork. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Suzan Presto na informon nga Departamenti i Shtetit.

Klinton tha se ajo dhe homologu i saj egjiptian diskutuan disa çështje në Uashington, nga problemet izraelito-palestineze tek hetimet e gjykatës ndërkombëtare për vrasjen e ish kryeministrit libanez Rafik Hariri në vitin 2005.

"Ka rëndësi që ne të bëjmë ç’është e mundur në një kohë veçanërisht delikate për atë rajon, të dyfishojmë përpjekjet tona për realizimin e zgjidhjes me dy shtete, të ndihmojmë në stabilizimin e situatës në Sudan dhe të punojmë për të siguruar që populli libanez të ketë sukses në përpjekjet e tij për drejtësi".

Zonja Klinton tha se çështja kryesore e rendit të ditës ishin bisedimet izraelito-palestineze të paqes për zgjidhjen me sy shtete. Sekretarja amerikane e Shtetit i bëri jehonë kritikave të Presidentit Barak Obama për njoftimin e kësaj jave të Izraelit se do të zbatojë planet për ndërtimin e 1300 shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Aboul Gheit, u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se zyrtarët egjiptianë besojnë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje serioze që t’i ulin të dy palët në tryezën e bisedimeve dhe se Izraeli duhet të tregojë se është serioz për një gjë të tillë.

"Më duhet t’ju them se ne jemi të shqetësuar. Ne jemi të shqetësuar sepse e shikojmë se Izraeli nuk po bën atë që kërkohet prej tij”.

Bisedimet e paqes, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara ngecën muajin e kaluar, kur Izraeli nuk e shtyu pezullimin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Palestinezët thonë se nuk do të kthehen në tryezën e bisedimeve pa zgjatjen e afatit të rifillimit të ndërtimeve. Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat ka thënë se në mungesë të paqes, palestinezët mund të kërkojnë mbështetje nga Kombet e Bashkuara për shpalljen e pavarësisë.

Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se të dy palët duhet të frenohen nga ndërmarrja e veprimeve të njëanëshme që mund të rrezikojnë procesin e paqes. Më herët, zonja Klinton njoftoi një shumë të re prej 150 milionë dollarësh për Autoritetin Palestinez si ndihmë që ai të balancojë deficitin buxhetor.

XS
SM
MD
LG