Lidhje

Sekretarja Klinton nuk pranon thirrjen e Gadafit, ripohon se ai duhet të largohet

  • Dejvid Gollast

Sekretarja Klinton nuk pranon thirrjen e Gadafit, ripohon se ai duhet të largohet

Sekretarja Klinton nuk pranon thirrjen e Gadafit, ripohon se ai duhet të largohet

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, shpërfilli dje një thirje personale nga udhëheqësi libian Muamer Gadafi për dhënien fund të fushatës ajrore që NATO po ndërmerr në mbështetje të kryengritësve. Zonja Klinton, e cila diskutoi mbi krizën libiane me Ministrin e Jashtëm italian Franko Fratini, tha se zoti Gadafi duhet të dorëzojë pushtetin dhe të largohet nga vendi.

Sekretarja Klinton po hedh poshtë një lutje të pazakontë të udhëheqësit libian drejtuar Presidentit Barak Obama që të ndërpriten operacionet ajrore të NATO-s. Zonja Klinton ripërsëriti qëndrimin se për t’i dhënë fund konfliktit, zoti Gadafi duhet të largohet nga pushteti.

Në letrën dërguar dje qeverisë amerikane, zoti Gadafi akuzon NATO-n për zhvillimin e një lufte “të padrejtë” kundër Libisë dhe thotë se konfliktin duhet t’ua lënë libianëve që ta zgjedhin në kuadër të Bashkimit Afrikan.

Në tekstin që iu shpërnda gazetarëve, zoti Gadafi përsërit akuzat se al-Kaida ndodhet prapa kryengritjes kundër tij.

Udhëheqësi libian e quan zotin Obama, presidentin e parë afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara, bir Afrike dhe thotë se pavarësisht nga ndërhyrja e NATO-s, ai shpreson që zoti Obama të fitojë edhe një mandat në krye të vendit.

Sekretarja Klinton foli për letrën nga Libia në një konferencë shtypi të përbashkët me ministrin e jashtëm italian, Franko Fratini.

“Mendoj se zoti Gadafi e di se çfarë duhet të bëjë. Ka nevojë për një armëpushim. Forcat e tij duhet të tërhiqet nga qytetet që kanë marrë me forcë, duke shkaktuar dhunë të madhe dhe humbje në njerëz. Duhet marrë një vendim në lidhje me largimin e tij nga pushteti, dhe siç tha ministri i jashtëm, për largimin e tij nga Libia.”

Qeveria e zotit Fratini i është bashkuar Francës dhe Katarit në njohjen e opozitës libiane, Këshillit Kombëtar Kalimtar, si qeveri legjitime të vendit. Por ministri italian nuk pranoi gjatë pyetjeve të gazetarëve që publikisht t’u bëjë thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë të njëjtën gjë.

Ai e mirëpriti, megjithatë, dërgimin këtë javë të diplomatit amerikan, Kris Stivëns, në qendrën e kryengritësve në Bengazi, për çfarë sugjeroi se do ta vërë administratën e Presidentit Obama në një pozitë më të mirë për të vendosur çështjen e njohjes.

“Unë e di fort mirë se Shtetet e Bashkuara duhet të dinë më tepër rreth këtij grupi në Bengazi. Ndoshta Italia e bëri këtë sepse ne e dimë për një kohë më të gjatë, nga brenda vendit, se kush janë [kryengritësit] dhe si është gjendja atje. Pra, është absolutisht e nevojshme që këta njerëz të jetë pak [më shumë] të njohur për opinionin publik të pjesës tjetër të botës, që asaj t’i ofrohen mundësitë dhe elementet e nevojshme për të marrë vendimin që ka marrë Italia.”

Mes ankesave të kryengritësve se fushata ajrore ka ngecur qëkurse Shtetet e Bashkuara ua dorëzuan udhëheqjen e operacioneve partnerëve të NATO-s një javë më parë, zonja Klinton tha se aleatët kanë vepruar me sukses, duke marrë parasysh ndryshimin e taktikave të forcave pro Gadafit.

“Ne e dimë se është vështirë që vetëm forcat ajrore të jenë të mjaftueshme për të mundur forca të tilla si ato që po përdor Gadafi dhe që janë futur nëpër qytete, duke përdorur snajpera dhe duke ndjekur veprime të dhunshme e të tmerrshme që vënë kaq shumë jetë në rrezik. Pra, duke marrë parasysh misionin që po kryen, NATO është duke vepruar për lëvdatë.”

Zonja Klinton tha se ajo dhe zoti Fratini diskutuan sesi mund të përshpejtojë NATO trajnimin e forcave kryengritëse, një bisedë që pritet të vazhdojë javën e ardhshme kur të dy të marrin pjesë në një takim e ministrave të jashtëm të vendeve të aleancës në Berlin.

Ata folën po ashtu edhe rreth shtimit të imigrantëve nga Tunizia dhe vende të tjera në Itali prejse filluan trazirat politike në rajon.

Zonja Klinton tha se Italisë i ka rënë “më shumë se pjesa e saj e përgjegjësive” në rrjedhat e migrimit, ndërsa zoti Fratini tha se nuk bëhet fjalë për një problem vetëm italian, por për një “çështje me të vërtetë evropiane” dhe se Italia kërkon që barrën ta ndajë me të tjerët.

XS
SM
MD
LG