Lidhje

Sekreti bankar


Ministrat e financave të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje që do ta bëjë më të vështirë për mospaguesit e taksave të fshehin paratë e tyre. Legjislacioni i ri, i cili ishte bllokuar për vite të tëra nga vende me reputacion si strehë për mospagimin e taksave, u miratua javën e kaluar pasi Luksemburgu dhe Austria ranë dakord të mos përdornin veton. Por kjo nuk do të thotë se mashtruesit nuk do të kenë vende të tjera për të fshehur paratë e tyre.

Në vende si Luksemburgu, ku sekreti bankar dikur ishte normal, shefi kryesor i taksave në Evropë - Algirdas Semeta – thotë se depozituesit nuk do të jenë më në gjendje të fshehin paratë.

“Direktiva e rishikuar premton transparencë të plotë të taksave në Evropë. Sekreti bankar ka vdekur, dhe shkëmbimi automatik i informacionit do të bëhet në formën më të gjerë.”

Luxemburgu ra dakord të ndajë informacionet bankare me vendet anëtare duke filluar nga viti 2017.

Analisti Jacob Kirkegaard në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare e quajti marrëveshjen një hap gjigand në frenimin e evazionit fiskal.

“Ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe është kulmi i një beteje prej një dekade të disa qeverive në BE – Francës, Italisë dhe Gjermanisë – për të frenuar këtë praktikë të anonimitetit në llogaritë bankare në vende të tjera të BE-së. ”

Këto praktika ndihmuan Luksemburgun si një nga qendrat më të mëdha financiare në Evropë – ku depozitat bankare vlerësohen për momentin më shumë se 10 fishi i GDP-së së atij vendi. Zvicra – dikur streha më e madhe për taksat– i dha fund sekretit bankar vitin e kaluar pas një presioni nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse mashtruesit mund t’i fshehin paratë në vende më pak të zhvilluara, ku rregullat janë më të buta, zoti Kirkegaard thotë se alternativat po pakësohen.

“Mund të shkosh në vende si Dubai, disa kanë përmendur Singaporin, por edhe Singapori iu bashkua së fundmi këtyre përpjekjeve. Pra po bëhet gjithnjë e më e vështirë t’i mbash paratë në një vend ku mund të jenë gati në çdo moment.”

Disa ekonomistë llogarisin se gati 8 përqind e pasurisë financiare të botës – më shumë se 7 trilionë dollarë – mund të fshihen nga taksat në vende ku mund t’i strehojnë ato. Nëse të gjitha këto para të paligjshme do të raportoheshin siç duhet, të ardhurat globale nga taksat do të rriteshin me më shumë se 200 miliardë dollarë në vit.

XS
SM
MD
LG