Lidhje

SHBA, shkurtimet automatike hyjnë në fuqi

  • Michael Bowman

Shkurtimet automatike të shpenzimeve të qeverisë amerikane hyjnë në fuqi, mes një ngërçi të vazhdueshëm politik në Uashington, i cili po pengon miratimin e alternativave më pak të dëmshme për reduktimin e deficitit. Mundësia e fundit për të shmangur të ashtuquajturin "sekuestrim" nuk arriti të jepte rezultate në Senat, dhe negociatat e ardhshme buxhetore do të vazhdojnë me shkurtimet tashmë në fuqi.

Ligjvënësit amerikanë dukeshin të habitur nga pamundësia e tyre për të vepruar lidhur me sekuestrimin. Senatori John McCain:

"Nuk mundemi të paktën të arrijmë një marrëveshje për të parandaluar këtë?"

Përgjigja, tani për tani, është jo. Demokratët propozuan të zëvendësohej qasja e sekuestrimit, e cila parashikon vetëm shkurtime, me një përzierje të reduktimeve të shpenzimeve me rritjen e të ardhurave tatimore. Republikanët kundërshtuan. Kreu i pakicës në Senat Mitch McConnell:

"Populli amerikan thjesht nuk do të pranojë zëvendësimin e shkurtimeve të shpenzimeve të pranuara nga të dyja palët me rritje të taksave."

Republikanët propozuan mbajtjen e shumës totale të shkurtimit të shpenzimeve - 85 miliardë dollarë për këtë vit - por duke i dhënë Presidentit Obama fleksibilitet në zbatimin e tyre. Këtë herë, ishin demokratët ata që kundërshtuan. Udhëheqësi i shumicës Harry Reid:

"Pse duhet që republikanët, pjesë e degës legjislative të qeverisë, t’i japin më shumë pushtet Shtëpisë së Bardhë? Republikanët duhet t’i japin fleksibilitet Kongresit. Fleksibilitet për të shkurtuar subvencionet e kota, fleksibilitet për të eliminuar përjashtimet e panevojshme tatimore dhe fleksibilitet për të kërkuar që të pasurit të kontribuojnë pak më shumë."

Hapi i ardhshëm është një takim që zhvillohet sot midis presidentit Obama dhe udhëheqësve të Kongresit. Pasi pasojat e sekuestrimit të fillojnë të ndihen, populli amerikan ka të ngjarë të përcaktojë përgjegjësit. Udhëheqësit e të dyja partive në Kongresin e ndarë politikisht shpresojnë që faji të bjerë mbi palën tjetër.
XS
SM
MD
LG