Lidhje

Makinat që ecin vetë

  • GEORGE PUTIC

Bota ndodhet në agimin e epokës së makinave robotike. Ato pritet të duken së shpejti në autostrada; prodhuesit janë vënë në garë se kush do të jetë i pari; ndërsa disa kompani taksish kanë planifikuar përmirësimin e shërbimeve me këto lloj makinash.


Në garën e parë të makinave robotike në botë, në vitin 2004, asnjë prej automjeteve nuk arriti vijën e finishit, pavarësisht nga numri i ndjesorëve, radarëve, dhe kamerave në bord.

Një vit më vonë, më 2005, pesë makina arritën në fund të korsisë, dhe në vitin 2007, gjashtë makina përfunduan një provë më të vështirë - ngarje nëpër rrugët me trafik duke respektuar shenjat e qarkullimit.
Sot, shumë prodhues të makinave dhe kamionëve po kryejnë prova me automjete inteligjente, për ngarje në autostradë.

Google ka disa vite që po provon makina të tilla.

Një kamion 'inteligjent', ndërtuar nga Daimler-Benz, u provua kohët e fundit në një autostradë gjermane, duke kaluar lirshëm dhe në mënyrë të sigurtë mes një trafiku të ngjeshur.

Firma japoneze Toyota thotë se deri në fund të këtij viti do të fillojë shitjen e tri modeleve luksoze Lexus me teknologji robotike.

Motitaka Yoshida, i kompanisë Toyota thotë:

"Pothuajse çdo gjë që një shofer bën në autostradë, do të automatizohet."

Duke përdorur sensorë të ndryshëm, GPS, dhe Wi-Fi makina do të komunikojnë me makina të tjera 'inteligjente’ dhe me infrastruktura të qarkullimit, për të ndjekur trafikun dhe paralajmëruar shoferin për rreziqet e mundshme.

"Ne duam të pakësojmë numrin e aksidenteve rrugore, vdekjet dhe lëndimet e shkaktuara nga aksidentet, dhe bllokimet e trafikut në autostrada. Gjithashtu, duam të sigurojmë një transport më të lirëshëm për të gjithë njerëzit, përfshi të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuar. "

Ndërkohë, disa kompani taksish janë duke planifikuar përmirësimin e makinave të tyre.

Firma japoneze Robot Taxi thotë se në fillim të vitit të ardhshëm, do të fillojë provat me furgona robotikë në zonat me pak trafik.

Ndërsa ligjet aktuale në Japoni nuk lejojnë makinat pa shoferë në rrugët publike, taksitë robotike do të kenë shoferë për të marrë përsipër drejtimin në situata emergjente.

XS
SM
MD
LG