Lidhje

Selia e shenjtë, në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës


Selia e shenjtë, në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës
Selia e shenjtë, në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës

I dërguari apostolik i Vatikanit për Kosovën, Julius Janosh, ka deklaruar se Selia e shenjtë është në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një qëndrimi në Kosovë ku mori pjesë edhe në meshën solemne me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

Me këtë rast, ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Julius Janosh, në muajin shkurt të këtij viti ishte emëruar nga Papa Benedikti XVI në postin e të dërguarit apostolik për Kosovën.

Ai tha sot mes tjerash se Kosova edhe pse është një realitet i ri politik, nuk është toka e askujt, nuk është një popull pa origjinë, pa traditë, pa vlera, duke theksuar vlerat që kishte transmetuar në botë Nënë Tereza.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni. Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Në vitin 2003, i ndjeri Papa Gjon Pali i dytë e shpalli atë të lume, një hap drejt shenjtërimit të saj.

XS
SM
MD
LG