Lidhje

Filmi “Selma”


Në mars të vitit 1965, rreth 600 persona të udhëhequr nga udhëheqësi amerikan i të drejtave civile Martin Luther King Jr., u nisën nga Selma drejt Montgomery, në Alabama, në një marshim paqësor për të drejta të barabarta dhe për lirinë e votës. Policia sulmoi protestuesit në të dalë të qytetit. Dhuna e ushtruar i nxiti ata më shumë. Disa javë më vonë, presidenti Lyndon Johnson i paraqiti Kongresit në një transmetim televiziv Ligjin për të Drejtën e Votës, që garantonte këtë të drejtë pavarësisht nga raca apo etnia. Një marshim tjetër më datë 25 mars, me 25 mijë persona, përshkoi me sukses një distancë prej 80 kilometrash nga qyteti Selma drejt shkallëve të Capitol, në Montgomery. Producentja e filmave Ava DuVernay i interpreton këto ngjarje në filmin dramatik “Selma”.

Drama dokumentar “Selma” fillon në zyrën e regjistrimit në Selma të Alabamës, ku aktivistja e të drejtave civile Annie Lee Cooper përpiqet më kot të regjistrohet për të votuar. Në vazhdim, filmi përshkon për audiencën rrjedhën e ngjarjeve të vrullshme që çuan në marshimet e qytetit Selma, në mars 1965.

Filmi “Selma” i regjisores Ava DuVernay interpreton gjithashtu marrëdhënien e komplikuar ndërmjet presidentit Lyndon Johnson dhe udhëheqësit të lëvizjes së të drejtave civile, Dr. Martin Luther King Jr.

Paraqitja nga DuVernay e një Presidenti Johnson që ngurron, ka marrë kritika nga simpatizantët e tij.

Por regjisorja Lyndon Johnson është vetëm një pjesë e kësaj historie. Ajo thotë se është një përkujtim i njerëzve që arritën diçka të mrekullueshme, dhe se kjo ishte një sfidë e vërtetë për aktorët.

David Oyelowo interpreton në rolin e Dr. Martin Luther King Jr.

“Është e pamundur të luash një ikonë dhe figurë të historisë. Por, mund të luash rolin e një burri, dhe këtë unë di ta bëj. Jam vetë baba i katër fëmijëve dhe jam i krishterë. Këto janë gjërat e përbashkëta me Dr. King bazuar mbi të cilat unë shpresova që fryma që përshkruante atë do të më mbushte dhe mua gjatë xhirimit të filmit. E ndjeva vazhdimisht këtë gjë gjatë xhirimit.”

Si David Oyelowo, ashtu edhe regjisorja Ava DuVernay, kanë marrë vlerësime nga kritika dhe kanë gjasa të nderohen me çmimin Oskar. Nëse kjo ndodh, Ava DuVernay do të jetë regjisorja e parë afrikano-amerikane që do të nderohet me këtë çmim.

“Është e mrekullueshme të gjendesh në po ato vende ku patën qëndruar njerëz realë; aty ku derdhën lotë dhe gjak, aty ku njerëzit marshuan, qeshën së bashku, dhe u kapën dorë më dorë.”

Një nga personat realë ishte John Lewis, në atë kohë student, i luajtur nga Stephan James. Sot, kongresmeni Lewis kujton atë kohë dhe e lidh me të tashmen.

“Mendoj se sot të rinjtë, dhe jo vetëm, mund të mësojnë nga ky film; të mësojnë mos të dorëzohen, mos të hidhërohen, mos të urrejnë, por të vazhdojnë përpjekjet, pasi lufta për të çliruar shpirtin amerikan nuk ndalon.”

Regjisorja e filmit “Selma” nuk kishte nga ta dinte gjatë xhirimit të filmit, për ngjarjet që do të ndodhnin në Ferguson, të Mizurit, në gusht të vitit që kaloi, por është e pamundur të shikosh filmin “Selma” dhe të mos lidhësh ngjarjet e 50 viteve më parë me rëndësinë e tyre në ditët e sotme.

XS
SM
MD
LG