Lidhje

Kërkime mjekësore për sëmundjet e trurit


Ndërsa jetëgjatësia në botë është shtuar, sëmundjet që shfaqen në moshat e shkuara janë bërë më të shpeshta. Kjo i ka shtyrë mjekët dhe studiuesit që të gjejnë mënyra për të trajtuar ose parandaluar sëmundje të tilla si Parkinsoni, një dëmtim i trurit që shfaqet pas moshës 50 vjeç, dhe që njihet për dridhjet fizike që shkakton tek i sëmuri. Sot për sot është arritur të kurohen simptomat e Parkinsonit, por shkencëtarët shpresojnë se shumë shpejt, do të gjendet një mënyrë për të ndalur përparimin e sëmundjes.

Sarah Taylor e kuptonte që diçka nuk shkonte me shëndetin e saj, por kurrë nuk e kishte menduar se ajo kishte Parkinson.

“U trondita. Por u çlirova kur mora vesh se çfarë kisha,” thotë Sara.

Pesë vite më parë, kur zonja Taylor erdhi në qendrën spitalore Medstar të Uashingtonit për kurim, ajo ecte me vështirësi.

“Kur erdha këtu fillimisht ishte diçka e tmerrshme, pasi nuk mund të ulesha, as nuk ngrihesha dot nga karrikja.”

Ajo tani ka vetëm shenja të lehta dhe ia dedikon përmirësimin ndjekjes së këshillave të doktorit Mark Lin - nga ushtrimet e përditshme deri në marrjen e mjekimeve sipas një grafiku të përpiktë.

Sëmundja e Parkinsonit zhvillohet kur qelizat që prodhojnë dopaminën, lëndë e trurit që kontrollon lëvizjen e muskujve, vdesin në mënyr të pashpjegueshme. Shkencëtarët besojnë se gjenetika luan rol në një numër të vogël rastesh me Parkinson. Një studim i ri i Kombeve të Bahkuara thotë se duhen fajësuar kimikatet e prodhuara nga njerëzit në produktet e përditshme. Studiues të tjerë thonë se ekspozimi ndaj pesticideve toksike mund të jetë shkak i sëmundjes.

Cilidoqoftë shkaku, mënyra më e mirë për të kontrolluar Parkinsonin është që të trajtohet sa më shpejt pas diagnostikimit - zakonisht pas fillimit të dridhjeve të trupit dhe vështirësisë në të ecur. Por kur arrihet në këtë fazë mund të jetë vonë, sipas mjekut Hubert Fernandez në Klinikën e Klevelandit.

"Deri sa mbërrijmë në këto faza, një pjesë e mirë e dëmit ka arritu në tru. Në kushte ideale, do të duhej të kishim një test që ta gjente sëmundjen e Parkinsonit. Dhe po në kushte ideale, do të donim të kishim teste përpara se të shiheshin shenjat e dridhjes së trupit”.

Aktualisht nuk ka teste të tilla për Parkinsonin. Por në Universitetin Northwestern, shkencëtarët mendojnë se mund të kenë gjetur një mënyrë që ngadalëson përparimin e sëmundjes.

Psikologu Jim Surmier:.

“Ne stdiuam qelizat e trurit që ishin më të prirura për t’u prekur nga sëmundja. Ajo që pamë ishte se ato kishin një tepri të madhe të kalciumit në përbërjen e tyre”.

Kalciumi vret qelizat prodhuese të dopaminës, dhe shkakton simptomat e Parkinsonit. Por shkencëtarët e universitet Northwestern gjetën një mjekim i cili kufizon marrjen e kalciumit nga qelizat, pa efekte anësore. Në një intervistë përmes SKYPE-it, studiuesia Tanya Simuni i tha Zërit të Amerikës se është planifikuar një tjetër eksperiment klinik:

“Pyetja e parë që duhet të marrë përgjigje në këtë studim është nëse ky mjekim do të ketë efekte në ngadalësimin e përparimit të Parkinsonit”.

Mjekimet për të kontrolluar dridhjet dhe vështirësitë në të ecur funksionojnë mirë për pesë deri në dhjetë vite . Nëse shkencëtarët mund të gjejnë një terapi të re e cila të dyfishojë ose trefishojë këtë periudhë, atëherë jeta e Sarah Taylorit dhe e 10 milion njerëzve të tjerë në botë që jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit mund të kthehet drejt normalitetit.

XS
SM
MD
LG