Lidhje

Udhëheqësit e Senatit amerikan arrijnë marrëveshje


Udhëheqësit e Senatit amerikan kanë hartuar një marrëveshje të minutës së fundit për të rihapur qeverinë dhe ngritjen e tavanit të borxhit, duke shmangur kështu pasojat negative në ekonominë globale.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Harry Reid dhe udhëheqësi i pakicës, republikani Mitch McConnell njoftuan rreth marrëveshjes sot.

Senatori Reid tha se të dyja palët vunë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë që vendi të mund t’i shmanget “katastrofës” financiare.

Marrëveshja e mban qeverinë të hapur deri në janar 15 dhe e ngre kufirin e huamarrjes mjaftueshëm për të shmangur falimentimin financiar deri më 7 shkurt.

Senatorët Reid dhe McConnell kanë drejtuar negociatat për të arritur një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për të dyja dhomat e Kongresit dhe për presidentin Obama.

Ajo që nuk dihet tani është në se marrëveshja do të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët.

Të enjten është afati kur departamenti i Thesarit ka thënë se do të arrihet kufiri i borxhit dhe në se ai nuk ngrihet, qeveria nuk do të kishte fonde për të paguar detyrimet e saj financiare. Realizimi i një skenari të tillë do të çonte në rënien e thellë të tregjeve të aksioneve dhe do të kishte pasoja negative për gjithë ekonominë globale.
XS
SM
MD
LG